

Bilanci i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi Afganistanin mbrëmjen e së dielës është rritur ndjeshëm. Ministria e Brendshme e Talibanëve konfirmon se më shumë se 800 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 2,800 të tjerë janë plagosur.
Tërmeti, me magnitudë 6.0, goditi provincën verilindore Kunar pranë kufirit me Pakistanin rreth orës 23:47 me orën lokale. Epiqendra u regjistrua në një thellësi prej 14 kilometrash, sipas Qendrës Gjermane për Gjeoshkencë, dhe ngjarja u pasua nga disa pasgoditje të forta, përfshirë një tërmet 5.2 ballë.
Zonat më të goditura janë malore, ku banesat prej balte dhe guri janë shembur plotësisht, duke rrafshuar disa fshatra të tërë. Pamjet nga vendngjarja tregojnë helikopterë që transportojnë të plagosurit dhe banorë që ndihmojnë ekipet e shpëtimit për të nxjerrë trupat nga rrënojat.
Zëdhënësi i qeverisë së Talibanëve, Zabihullah Mujahid, deklaroi se ekipet e shpëtimit po punojnë pa ndërprerje dhe grupe ndihme janë nisur nga Kabuli dhe provincat fqinje. Megjithatë, autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet më tej, pasi shumë zona mbeten të paarritshme.
Afganistani është një nga vendet më të rrezikuara nga tërmetet për shkak të vendndodhjes së tij në vargun malor Hindu Kush. Në tetor 2023, një tërmet 6.3 ballë shkaktoi mijëra viktima dhe u konsiderua si fatkeqësia natyrore më e rëndë e viteve të fundit në vend.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





