

Policia e Tiranës ka zbardhur rastin e ndodhur më 24 gusht, kur disa automjete të dekoruara për ceremoni martesore u ndalën në Unazë të Madhe, duke penguar qarkullimin.
Dy persona janë proceduar penalisht, një është shpallur në kërkim, ndërsa vijojnë hetimet për katër drejtues automjetesh të tjera të përfshirë në këtë paligjshmëri.
Si ndodhi ngjarja
Pamjet filmike të publikuara më 24 gusht 2025, ku disa makina të dekoruara për dasmë shfaqeshin të ndaluara në Unazë të Madhe, u bënë bazë për nisjen e hetimeve nga Komisariati i Policisë Rrugore.
Automjetet kishin bllokuar qarkullimin normal, duke shkaktuar kaos në trafik dhe duke rrezikuar sigurinë publike.
Të identifikuarit dhe të proceduarit
Pas veprimeve hetimore u identifikuan:
E. D., 36 vjeç, dhe D. M., 22 vjeçe, të cilët u proceduan penalisht në gjendje të lirë;
Xh. A., 28 vjeç, i shpallur në kërkim, për të cilin po punohet për kapjen dhe shoqërimin.
Ndërkohë vijon puna për identifikimin e katër shtetasve të tjerë të përfshirë, si dhe për gjetjen e automjeteve të përdorura në këtë rast. Nga verifikimet paraprake, disa prej tyre rezultojnë të jenë marrë me qira.
Hetimi dhe procedimi ligjor
Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, nën akuzën “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





