

Të arrestuarit janë: Dritan Pino, Petrika Ropi, Ilir Shukulli, Rafail Kocaqi, Salvi Asllan, Mihal Zhidro, Serxhio Mema, Gersi Dervishi, Sotiraq Shkurti dhe Kristi Lamçe
Korçë – Zbardhen detaje të reja nga konflikti i ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 1, ku dy persona mbetën të plagosur me thikë. Policia ka vënë në pranga 10 shtetas të përfshirë në ngjarje, ka shpallur një tjetër në kërkim dhe ka proceduar penalisht pronarin e lokalit ku ndodhi sherri, pasi kishte punësuar persona të paregjistruar.
Si ndodhi ngjarja
Rreth orës 21:30 të mbrëmjes së djeshme, në ambientet e një lokali në qendër të Korçës, një konflikt për motive të dobëta u përshkallëzua në dhunë fizike dhe përdorim të mjeteve të forta. Si pasojë, dy persona mbetën të plagosur me thikë dhe u transportuan në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Pak pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë shkuan në vendngjarje, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës dhe duke bërë të mundur shoqërimin e personave të përfshirë.
Të arrestuarit dhe akuzat
Pas hetimeve dhe veprimeve procedurale, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i 10 shtetasve:
D. P., 54 vjeç, banues në Korçë, i cili akuzohet për një sërë veprash penale, mes të cilave: “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Deklarimi i rremë para oficerëve të policisë gjyqësore”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
P. R., 28 vjeç, I. Sh., 51 vjeç, R. K., 21 vjeç, S. A., 21 vjeç, M. Zh., 31 vjeç, S. M., 25 vjeç, G. D., 37 vjeç, S. Sh., 31 vjeç dhe M. L., 29 vjeç, të gjithë banues në Korçë, të cilët akuzohen për: “Plagosja e rëndë me dashje”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Deklarimi i rremë para oficerëve të policisë gjyqësore” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Gjithashtu, E. K., 38 vjeç, banues në Korçë, është shpallur në kërkim si i dyshuar i përfshirë në konflikt.

Procedim për pronarin e lokalit
Në vijim të hetimeve, Prokuroria e Korçës ka nisur procedim penal edhe për pronarin e lokalit ku ndodhi ngjarja, R. I., 45 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Punësimi i paligjshëm”, pasi nga verifikimet rezultoi se kishte punonjës të paregjistruar në organet kompetente.
Vijon hetimi
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, për identifikimin e çdo personi tjetër të përfshirë dhe për dokumentimin ligjor të veprimtarisë së paligjshme. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





