

UKRAINË- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se një person është arrestuar për vrasjen e ish-kryetarit të Parlamentit, Andriy Parubiy. Ai u qëllua me armë zjarri në një rrugë të qytetit perëndimor të Lvivit.
“Ministri i Brendshëm, Ihor Klymenko, dhe kreu i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, Vasyl Maliuk, sapo raportuan për arrestimin e një të dyshuari për vrasjen e Andriy Parubiyt”, shkroi Zelensky në X, mbrëmjen e 31 gushtit.
“Veprimet e nevojshme hetimore janë duke vazhduar. Kam urdhëruar që informacioni i disponueshëm, t’i prezantohet publikut. I falënderoj oficerët tanë të zbatimit të ligjit për punën e tyre të shpejtë dhe të koordinuar. Të gjitha rrethanat e kësaj vrasjeje të tmerrshme duhet të bëhen të qarta”, shtoi ai, pa dhënë detaje të tjera.
Sipas një korrespondenti të Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, i cili ishte në vendngjarje, Parubiy u qëllua për vdekje rreth mesditës më 30 gusht, në rrugën Jefremova, pranë banesës së tij. Autoritetet e zbatimit të ligjit konfirmuan se 54-vjeçari vdiq menjëherë nga plagët e marra.
Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës tha se ka nisur hetimet për vrasje dhe se sulmuesi është në kërkim për “vrasje me paramendim”.
Disa bashkëpunëtorë të Parubiyt e fajësuan Rusinë për vrasjen. Ligjvënësi Mykola Knyazhytskiy tha se beson se vrasja e Parubiyt është “hakmarrje e Rusisë për qëndrimet e tij”.
Ai tha se Parubiy është bërë objektiv për shkak të mbështetjes së tij ndaj sovranitetit, sigurisë dhe unitetit të Ukrainës, përballë pushtimit rus. Parubiy kishte rol të rëndësishëm në protestat e Maidanit gjatë viteve 2013-2014, të njohura në Ukrainë si Revolucioni i Dinjitetit.
Këto protesta u zhvilluan për shkak të vendimit të presidentit të atëhershëm, Viktor Yanukovych, për ta larguar Ukrainën nga Bashkimi Evropian dhe për t’u afruar me Rusinë – një vendim ky që çoi në rrëzimin e tij dhe arratinë drejt Rusisë./REL

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





