Transmetuar më 31-08-2025, 12:49

Partia Demokratike, me anë të zëdhënëses së Antikorrupsionit, Genta Vangjeli, ka denoncuar publikisht një tjetër rast që prek direkt interesat e qytetarëve shqiptarë.

Bëhet fjalë për qendrën më të madhe shëndetësore në vend, QSUNT.

Sipas deklaratës së zëdhënëses së Vangjelit, në vend që të zgjidhë problemet e mungesës së medikamenteve dhe shërbimeve bazë, qeveria po jep prioritet projekteve fitimprurëse me natyrë biznesi në zemër të sistemit shëndetësor publik.

Deklarata e Genta Vangjelit:

Partia Demokratike denoncon publikisht një tjetër rast që prek direkt interesat e qytetarëve shqiptarë.

Pa u shqetësuar për medikamentet jetësore që mungojnë qeveria e Edi Ramës i jep sigurisht prioritet ideve të të bërit biznes.

Kështu qendra më e madhe shëndetësore në vend QSUNT po kthehet në një qendër tregtare fitimprurëse.

Në shtator të vitit të shkuar FSHZH shpalli tenderin me objekt “Përmirësimi i transportit urban dhe parkimeve (Parkimi i QSUT): Ndërtimi i godinës së Parkimit Multifunksional me shumë nivele në Qëndrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë (QSUT)”, procedurë e cila u fitua nga Salillari shpk me subjekt mbështetës ASL shpk , kundrejt vlerës 14 milion euro (me tvsh).

Kontrata e parashikuar të realizohet për 24 muaj përfshin dy ndërtesa , një parkim automjetesh 5 kate mbi tokë dhe 1 kat nën tokë, si dhe një hotel 5 kate mbi tokë për shërbimet e pritjes dhe logjistikës plus 1 kat nën tokë për ambjente teknike në funksion të tij.

Gjasat janë që menaxhimin e parkimit të ri mund ta kryejë Agjencia Ekonomike Mbështetëse e krijuar (në v.2018) nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, e drejtuar nga ish-zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste.

Në krye të saj qëndron Alfred Dalipi, ish- zv.ministër i Mjedisit dhe ish deputet i PS-së.

Kjo agjenci nisi aktivitetin e saj duke vendosur tarifa parkimi në QSUT, dhe tashmë është shndërruar në një strukturë që përveç parkimit të QSUNT menaxhon edhe parkime dhe projekte në të gjithë vendin, si:

Qendra e Zhvillimit të Turizmit në Valbonë, Tropojë

në Vermosh, Malësi e Madhe

Kompleksi Agroturistik në Belsh

Godina e Parkimit në Berat, në Sheshin “Teodor Muzaka”

Qendra e Zhvillimit Rajonal në Korçë

Godina e Parkimit në Gjirokastër, në Sheshin “Çerçiz Topulli”.

Përmes këtyre projekteve, Agjencia gjeneron miliona euro në kurriz të pasurisë publike. Ndërkohë, QSUT – spitali më i madh i vendit – përballet me mungesë të shërbimeve bazë dhe të hapësirave po përdoren për zona parkimi me pagesë.

Ky është një tjetër shembull i zhvatjes së pasurisë publike dhe i kthimit të institucioneve shëndetësore në biznese private, në kurriz të qytetarëve.

Partia Demokratike kërkon transparencë të plotë dhe ndalimin e menjëhershëm të projekteve që synojnë kthimin e QSUT-së në një qendër fitimprurëse, në vend që të jetë një institucion në shërbim të pacientëve dhe shëndetit publik.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit