Transmetuar më 30-08-2025, 23:12

Tiranë, 30 gusht 2025 – Kodi i ri penal parashikon shtimin e disa veprave penale që lidhen me sigurinë ushqimore, duke synuar ndëshkimin e prodhimit dhe tregtimit të ushqimeve të pasigurta për konsum. Ndryshimet përfshijnë dënime me burg për prodhimin e ushqimeve të rrezikshme, mashtrimin me produktet ushqimore, paraqitjen e rreme të tyre, si dhe shkeljet e shenjave të vendosura nga autoritetet shtetërore.

Sipas nenit 458, prodhimi, përpunimi, ruajtja, tregtimi, importimi apo eksportimi i ushqimeve dhe pijeve në kundërshtim me standardet ligjore, si dhe përdorimi i kimikateve apo lëndëve të dëmshme te kafshët dhe bimët që shërbejnë për konsum, dënohet me burg nga gjashtë muaj deri në katër vjet.

Një tjetër vepër e re është **ofrimi i ushqimit të pasigurt**, që përfshin therjen e kafshëve ose përdorimin e produkteve shtazore për konsum, duke e ditur se ato janë trajtuar me substanca të ndaluara. Për këtë shkelje parashikohet deri në katër vjet burgim. Po ashtu, penalizohet hedhja në treg e mishit ose produkteve shtazore pa respektuar periudhat e pritjes të përcaktuara me ligj.

Në nenin 460, parashikohet **mashtrimi me produktet ushqimore**, ku përfshihet importimi, prodhimi, ruajtja, falsifikimi, publiciteti ose tregtimi i ushqimeve me të dhëna të rreme për cilësinë, prejardhjen, kategorinë apo përbërjen e tyre. Për këtë vepër dënimi arrin deri në tre vjet burg.

Ndërsa **paraqitja e rreme e produktit ushqimor**, që lidhet me ndryshimin e të dhënave për skadencën apo përbërjen e produkteve, ose tregtimin e ushqimeve të destinuara për t’u bërë të papërdorshme, ndëshkohet me burg deri në gjashtë muaj.

Gjithashtu është kriminalizuar edhe **prishja e shenjave të organeve shtetërore në fushën e sigurisë ushqimore**, ku përfshihet heqja ose ndryshimi i shenjave bllokuese të vendosura nga autoriteti kombëtar i ushqimit. Në rastet kur aktiviteti vijon pavarësisht bllokimit, dënimi mund të arrijë deri në tre vjet burg.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit