Transmetuar më 30-08-2025, 11:28

Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Danger”, duke kapur dhe ndaluar një 30-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për vrasje në rrethana cilësuese, mbetur në tentativë, dhe armëmbajtje pa leje. Bashkë me të është arrestuar edhe një 31-vjeçar, i dyshuar për përkrahje dhe ndihmë në fshehjen e tij.

Sipas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e tij, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin.

Gjatë veprimeve në zonën e quajtur “Komuna e Parisit”, u lokalizua dhe u kap Kid Kazazi, 30 vjeç, banues në Kavajë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Durrësit i kishte caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese, mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Hetimet kanë treguar se më 30.05.2025, në Fllakë, i riu, për motive të dobëta, kishte qëlluar me armë zjarri drejt një automjeti ku ndodheshin tre persona.

Në vijim të operacionit u arrestua edhe Ferhat Kaja 31 vjeç, i cili ndodhej në të njëjtin automjet me 30-vjeçarin. Dyshohet se ai ka përkrahur dhe ndihmuar personin e kërkuar të fshihej.

Në momentin e ndalimit, 30-vjeçari i paraqiti punonjësve të policisë dy dokumente identifikimi – një kartë ID dhe një leje drejtimi – me të dhënat e një shtetasi tjetër, të dyshuara si të falsifikuara. Ndërsa, gjatë kontrollit fizik, 31-vjeçarit iu gjet një sasi municioni luftarak.

Sipas burimeve zyrtare, Kazazi iu kalua DVP Durrës për veprime të mëtejshme, ndërsa materialet procedurale mbi ngjarjen i janë referuar Prokurorisë për hetime të mëtejshme. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit