Transmetuar më 30-08-2025, 08:54

Zhurma tej normave të lejuara është kthyer në problem në të gjitha qytetet e vendit, përveç Lushnjes.

Një monitorim i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit nxjerr në pah se, bazuar në të dhënat e monitorimit të zhurmave ditën, vihet re se ka një tejkalim të normës së lejuar ditën, që është 55 dB, në të gjitha qytetet, përveç qytetit të Lushnjes.

Niveli më i lartë i zhurmave është vlerësuar në qytetin e Tiranës, ku kemi tejkalim të normës në masën 15.1%, Vlorës 14.7%, Sarandës 13.6%, Gjirokastrës 11.1%.

Nivelet më të ulëta, por sërish duke tejkaluar vlerën e lejuar prej 55 dB, janë në qytetet e Kukësit, Pogradecit, Përmetit dhe Lushnjes.

Trafiku është faktori kryesor i nivelit të lartë të zhurmave gjatë ditës.

Edhe nata është e zhurmshme për banorët e Shqipërisë. Referuar të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, pothuajse të gjitha qytetet kanë tejkalim të normës së lejuar të zhurmës prej 45 dB.

Niveli më i lartë është monitoruar në qytetin e Vlorës, ku kemi tejkalim të normës me 18.75%, Tiranës me 16.51% dhe Sarandës me 14.6%. Nivelet më të ulëta janë monitoruar në qytetet e Kukësit, Pogradecit, Përmetit dhe Lushnjes.

Për periudhën e natës (45 dB), niveli i zhurmave në qytetet Kukës, Përmet dhe Lushnje është brenda vlerave limit, ndërsa në qytetet e tjera të monitoruara tejkalon vlerat limit.

Krahas trafikut, burim kryesor i zhurmës në zonat e banuara janë edhe muzika e lartë.

Ndotja nga zhurmat në nivel të lartë mund të shkaktojë humbjen e dëgjimit, qoftë për një kohë të shkurtër apo edhe për tërë jetën. Zhurmat e padëshirueshme rritin presionin, shkaktojnë lodhje, ulin gjumin, rrisin stresin dhe pengojnë përqendrimin.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit