

Trump kërkon që miliarderi George Soros dhe i biri Alex të përballen me akuza federale. Trump rekomandoi që ata të akuzohen sipas ligjit RICO (Racketeer Influenced and Corrupt Organizations Act), një ligj federal që përdoret shpesh kundër krimit të organizuar
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka sulmuar miliarderin filantrop George Soros, një nga donatorët kryesorë të Partisë Demokratike (partia e majtë), duke e akuzuar se ka mbështetur “protesta të dhunshme” në mbarë Shtetet e Bashkuara dhe duke kërkuar që ai dhe djali i tij të përballen me akuza për “racketeering” (RICO).
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump tha të mërkurën: “George Soros, dhe djali i tij i mrekullueshëm i së majtës radikale, duhet të akuzohen sipas RICO për shkak të mbështetjes së tyre ndaj protestave të dhunshme dhe shumë gjërave të tjera, në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
Ligji RICO (Racketeer Influenced and Corrupt Organizations) përdoret për të ndjekur penalisht organizatat kriminale, por Trump nuk ofroi asnjë provë në postimin e tij dhe nuk dha detaje të tjera nëse Soros ndodhet aktualisht nën hetim.
Presidenti amerikan e quajti miliarderin dhe organizatën e tij “psikopatë të së majtës radikale” në të njëjtin postim.
Figura të ndryshme të djathta, përfshirë kryeministrin hungarez Viktor Orban dhe kryeministrin indian Narendra Modi, kanë përqafuar teori konspirative sipas të cilave familja Soros ka financuar fshehtas trazira dhe aktivitete që destabilizojnë politikisht vendet e tyre.
Soros, i cili është një hebre që i ka mbijetuar Holokaustit, ka qenë shpesh objekt i teorive konspirative antisemitike në të djathtën ekstreme.
Ai është themeluesi i Open Society Foundations, e cila mbështet organizatat e shoqërisë civile në mbarë botën dhe promovon qeverisjen demokratike, shëndetin publik, drejtësinë penale dhe arsimin.
The Wall Street Journal raportoi në qershor 2023 se Alex Soros ishte vendosur në krye të fondacionit nga babai i tij i moshuar, tashmë 95 vjeç.
Megjithëse deri më tani nuk janë ngritur akuza ndaj Soros, ky postim vjen në një kohë kur Trump po ashpërson kërcënimet dhe hetimet ndaj rivalëve politikë dhe po shtyn një interpretim maksimalist të fuqive të tij si president.
Një zëdhënës i Open Society Foundations reagoi për agjencinë Reuters: “Këto akuza janë të rreme dhe skandaloze. Open Society Foundations nuk mbështet dhe nuk financon protesta të dhunshme. Misioni ynë është të avancojmë të drejtat e njeriut, drejtësinë dhe parimet demokratike, në SHBA dhe në mbarë botën.” /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





