Transmetuar më 29-08-2025, 21:03

“Përshëndetje! Jam Erion Veliaj. Një mikut tim i nevojiten 70 mijë euro. Rregullohemi bashkë diku tjetër”. Një mesazh me këtë tekst i ka mbërritur në rrjetin “Telegram” nga një numër i panjohur një biznesmeni ndërtimi në kryeqytet, më 26 shtator të vitit 2023.

Pas tij nuk ishte kryebashkiaku i Tiranës, por një 28-vjeçar nga Elbasani, i cili ishte duke vënë në jetë një skemë mashtrimi.

Në vijim të komunikimit, biznesmeni me iniciale G. A. ka treguar gatishmëri t’ia dërgonte paratë te zyra në bashki. Nga bashkëbiseduesi i është kërkuar fillimisht t’i dorëzonte të hollat në Vlorë, më pas në një restorant të njohur pranë Lushnjës, e në përfundim kanë lënë si pikë takimi parkimin e një qendre tregtare pranë Kthesës së Kamzës në Tiranë.

Por, teksa ka shkuar në vendin e caktuar, personi që do të merrte paratë nuk e dinte që në çantën e vënë përpara syve nuk kishte euro, por letra, dhe se gjithçka po ndodhte para syve të oficerëve të policisë, të cilët ndërhynë dhe bënë arrestimin e tij.

Pas ndalimit, personi ka komunikuar me porositësin, duke pretenduar se paratë u morën, ç’ka çoi më pas në identifikimin e katër personave të tjerë të përfshirë.

Për këtë përpjekje zhvatjeje, Gjykata e Tiranës ka fajësuar pak ditë më parë për “mashtrim” të mbetur në tentativë, të pandehurit Xhensil Qefa-Hida dhe Leonard Xhika dhe i ka dënuar me nga 3 vjet burg secilin.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 2 vjet, ndërsa për të pandehurin Xhika, gjykata pezulloi burgun dhe e la për 4 vite në Shërbim Prove.

Sipas vendimit gjyqësor, “truri” i përpjekjes së mashtrimit ishte i pandehuri Xhensil Qefa-Hida. Ai u dënua në mungesë, pasi nuk është arrestuar.

Qefa rezulton se ka kontaktuar biznesmenin, duke u hequr si Erion Veliaj dhe, nga ana tjetër, ka instruktuar Leonard Xhikën të shkonte të merrte paratë.

Përmes një personi tjetër, ai i ka vënë në dispozicion Xhikës një telefon, duke e udhëzuar që ta hidhte bashkë me numrin pas takimit me biznesmenin.

Në deklarimet e tij, Xhika ka pretenduar se kishte komunikuar në “Telegram” me Qefën, i cili i kishte kërkuar të shkonte të merrte një porosi në Tiranë tek një person, një shumë prej 20 mijë eurosh, nga të cilat mund të mbante 3 mijë.

Në të njëjtën dosje, gjykata fajësoi edhe tre persona të tjerë. Mikel Panxhi, Xhonatan Xhaferri dhe Petro Ferzaj u dënuan përfundimisht me nga 8 muaj burg për “moskallëzim krimi”.

Sipas vendimit, pasi ka kujtuar se ishin marrë paratë, Xhensil Qefa-Hida i ka kontaktuar, duke u kërkuar të takonin Xhikën për të marrë disa shuma parash, për t’ia çuar njerëzve të tjerë, duke mbajtur një përqindje për vete.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit