Transmetuar më 29-08-2025, 08:45

Kryeqyteti shqiptar ka parë një mbrëmje jo të qetë në orët e vona të së enjtes, fill pas ndeshjes Dinamo 1-1 Jagiellonia, e vlefshme për play-off e Conference League.

Polakët, në një numër të konsiderueshëm në udhëtimin në Tiranë, kanë nisur provokimet që pasditen e djeshme, me të mbërritur në kryeqytetin tonë. Në pamjet e shpërndara në rrjet, ata shihen të bëjnë gjeste të pahijshme në bustin e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në qendër të Tiranës.

Pas ndeshjes, një grup me tifozët e Dinamos duket se është ‘hakmarrë’. Në video duket qartë se shqiptarët janë përleshur me njërin prej polakëve që bënte gjeste të pahijshme.

Një numër i madh i forcave të policisë ka ndërhyrë, duke qetësuar situatën. Paçka se tifozët nga Polonia u nisën me autobusa në stadium fill pas ndeshjes dhe u shoqëruan nga policia, incidentet nuk munguan as rrugës për në aeroportin ‘Nënë Tereza’ në Rinas.

Shqiptarët ishin në rrugë dhe sulmuan me flakadanë autobusët që mbanin tifozët e Jagiellonias. Gjithçka lidhet me thirrjet e tyre ‘vritini shqiptarët’, apo edhe me banerin që shpeshherë shpalosin në stadium ‘Kosova është Serbi’.

Kulmi ishte përdhosja e heroit tonë kombëtar në zemër të Tiranës, me incidentet që nuk munguan në orët e vona të së enjtes. Sa për kronikë, Dinamo u eliminua nga Conference League.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit