Transmetuar më 29-08-2025, 07:41

Tiranë, 29 gusht 2025 – Kursimet e qytetarëve dhe bizneseve në lekë dhe në valutë kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë muajit korrik. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, totali i depozitave të konvertuara në euro u shtua me rreth 240 milionë euro, ku përfshihen 10.5 miliardë lekë dhe 141 milionë euro.

Në fund të korrikut, stoku i kursimeve në lekë arriti në 665.7 miliardë lekë, me një rritje prej 1.6% krahasuar me qershorin. Kjo është rritja më e fortë mujore që nga janari dhe muaji i dytë radhazi me shtim të dukshëm të depozitave në monedhën vendase. Tendenca është ndikuar kryesisht nga korporatat financiare dhe rezidentët, ndërsa me bazë vjetore depozitat në lekë janë rritur me 11.8%, ose 70.5 miliardë lekë më shumë.

Edhe kursimet në valutë u rritën ndjeshëm gjatë korrikut, duke arritur në 8.26 miliardë euro. Vetëm për një muaj, ato u shtuan me 141 milionë euro, që përfaqëson shtesën më të madhe që prej gushtit 2023. Ky zhvillim është mbështetur nga prurjet sezonale të emigrantëve dhe të ardhurat e turizmit. Krahasuar me korrikun e një viti më parë, depozitat në euro janë rritur me 8.3%, ose 635 milionë euro më shumë.

Në total, sistemi bankar numëroi 1.4 trilionë lekë depozita në fund të korrikut, me një rritje vjetore prej 93 miliardë lekësh, ose 7%. Stabilizimi i kursit të euros ka zbutur ndikimin e luhatjeve në raportimin e kursimeve në valutë.

Brenda një viti, depozitat në lekë janë rritur me rreth 700 milionë euro, ndërsa ato në euro me 635 milionë euro, duke sjellë një shtesë totale prej 1.35 miliardë eurosh në sistemin bankar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit