Transmetuar më 26-08-2025, 22:07

KURBIN- Një shpërthim me tritol është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Fushë-Kuqe. Në lidhje me këtë ngjarje policia ka dalë me një njoftim zyrtar ndërsa bën me dije se shpërthimi është regjistruar në orën 04:20 në fshatin Gurëz.

Lënda plasëse e dyshuar artizanale mësohet se është vënë në portën e jashtme të murit rrethues të një banese. Policia thekson se nga shpërthimi është dëmtuar lehtë porta dhe se nuk ka persona të lënduar.

Gjithashtu bëhet me dije se janë gjetur disa gëzhoja të cila janë sekuestruar.

"Kurbin/Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Gurëz, Fushë Kuqe. Me marrjen e njoftimit se rreth orës 04:20, në portën e jashtme të murit rrethues të shtetases M. D, alias M. B.,në fshatin Gurëz, Fushë Kuqe, ishte hedhur një sasi e vogël lënde plasëse e dyshuar artizanale, shërbimet e Policisë shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, së bashku me grupin hetimor.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe territorit përreth, rezultoi se porta e murit rrethues të banesës ishte dëmtuar lehtë nga shpërthimi i lëndës plasëse, e dyshuar artizanale.

Në vijim të veprimeve, grupi hetimor gjeti në rrugë, në afërsi të banesës, disa gëzhoja në dukje të vjetra, të cilat u sekuestruan dhe administruan në cilësinë e provës materiale. Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet e thelluara hetimore për sqarimin e rrethanave, identifikimin e autorit/ve dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit," thuhet në njoftimin e policisë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit