Transmetuar më 26-08-2025, 11:37

26 Gusht, 2025

Mëngjesin e kësaj të marte, është duke u kryer ceremonia e pritjes për viktimën Marjola Nakoleci, e cila u vra nga bashkëshorti i saj, Pandeli Nakoleci, ditën e premte (22 gusht), në Volos të Greqisë.

Trupi i pajetë i 36-vjeçares u soll gjatë pasdites të së hënës dhe do të prehet në varrezat e qytetit të Korçës.

Miq, familjarë dhe të afërm të viktimës janë duke i dhënë lamtumirën e fundit 36-vjeçares nënë e katër fëmijëve, tre prej të cilëve të mitur, dhe ndodhen në gjendje të rënduar psikologjike, teksa kanë ndaluar kategorikisht praninë e mediave.

Ceremonia mortore pritet të kryhet rreth orës 11:00 të ditës së sotme. Prezent janë familjarët e saj, përfshi edhe fëmijët që gjithashtu kanë shoqëruar trupin e nënës nga Greqia për në Korçë, për të qenë të pranishëm në ceremoninë mortore.

Paralelisht në Greqi po kryhen hetimet ndaj Pandeli Nakolecit, i cili del sot para Gjykatës së Volosit për masë sigurie.

Me një pyetje të thjeshtë, “a nuk mendove për ne?”, vajza e madhe e çiftit u përpoq të zbulonte nga i ati se cila ishte arsyeja që ai vrau nënën e saj. Autori i vrasjes, pas arrestimit të tij, pretendoi se “u ngatërrua” duke besuar se ajo po e tradhtonte.

Fëmijët e çiftit raportojnë se babai i tyre është patologjikisht xheloz dhe se nëna e tyre nuk fliste me burra të tjerë dhe as nuk kishte një lidhje jashtëmartesore.

18-vjeçarja ishte e pranishme në momentin e vrasjes së nënës së saj. Ajo e ka foton e saj në telefon dhe e shikon atë vazhdimisht, ndërsa bërtet nga tërbimi se tani është jetime pasi babai i saj “ka vdekur” për të. Fëmijët e tjerë të çiftit janë gjithashtu në një situatë tragjike, veçanërisht djali i tyre 13-vjeçar, i cili e kapi të atin nga fyti në mënyrë që ta ndalonte të kryente krimin.

Duke parë nënën e tyre duke vrapuar për të shpëtuar nga duart e babait, dy fëmijët e mëdhënj tentuan që ta parandalojnë krimin, por nuk ia dolën.

Çfarë pretendon autori i krimit për vrasjen në Volos?

Siç pohon ai, kur 36-vjeçarja mbeti shtatzënë pak kohë më parë, ajo i tha se fëmija nuk ishte i tiji dhe ai u shkatërrua shumë.

“Isha i tërbuar, humba mendjen, mendja ime u shua kur ajo më tha se fëmija që kishte nuk ishte i imi dhe se do të më dërgonte foto dhe video me partnerin e saj të ri. Dyshimet e mia u konfirmuan. Që nga Pashkët e tutje, filloi e keqja. Një palë e tretë na shkatërroi jetën. Kam keqardhje, mendoj për fëmijët e mi, çfarë do të bëhet me ta, do të doja ta ktheja kohën pas, doja t’i bëja keq vetes”, ka thënë ai.

Megjithatë, familja e 36-vjeçares përshkruan sjellje abuzive dhe se si 40-vjeçari e përdhunonte vazhdimisht në mënyrë që ajo të mbetej shtatzënë dhe të mos divorcohej prej tij.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit