

Tiranë, 25 gusht 2025 – Një raport i fundit i Bankës Botërore dhe Institutit të Vjenës ka evidentuar një veçori të pazakontë në tregun e punës shqiptar, ku papunësia më e lartë nuk vërehet tek individët me arsim të ulët, siç ndodh në pjesën më të madhe të Ballkanit Perëndimor, por tek ata me arsim të mesëm.
Në analizën e normave të papunësisë sipas nivelit arsimor, raporti thekson se në rajonin e Ballkanit Perëndimor individët me arsim të ulët përballen zakonisht me nivele më të larta papunësie. Megjithatë, Shqipëria spikat si përjashtim, pasi grupi më i prekur rezulton ai me arsim të mesëm.
Dokumenti nënvizon se prirja e përgjithshme në rajon dhe në Bashkimin Europian mbetet e njëjtë: individët me arsim të lartë kanë norma më të ulëta papunësie. Por dallimet shfaqen në nivele të tjera: tek personat me arsim të ulët, diferenca mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është vetëm 2.5 pikë përqindje, ndërsa tek ata me arsim të mesëm arrin në 6.1 pikë përqindje. Për individët me arsim të lartë, diferenca është 4.2 pikë përqindje.
Sipas raportit, gjatë vitit 2023 papunësia ka rënë në të tre grupet arsimore në rajon, me uljen më të ndjeshme tek individët me arsim të mesëm (me 1 pikë përqindje). Megjithatë, ndryshimet mes vendeve mbeten të dukshme. Në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut, ulja më e madhe u regjistrua tek individët me arsim të ulët; në Serbi dhe Kosovë përmirësimi ishte i ndjeshëm tek ata me arsim të mesëm; ndërsa në Shqipëri dhe Mal të Zi rënia më e madhe u pa tek individët me arsim të lartë.
Në BE, sipas raportit, individët me arsim të ulët përfituan më shumë nga rënia e papunësisë sesa dy grupet e tjera, duke treguar se modelet mbeten të ndryshme dhe shpesh të vështira për t’u përgjithësuar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





