

Valët e të nxehtit, zjarret dhe fenomenet e tjera të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, së bashku me rritjen e vazhdueshme të kostos së jetesës dhe udhëtimeve, po krijojnë një krizë të re: atë të industrisë së pushimeve.
Epoka e “jo-turizmit”?
Profesori Stefan Gössling, nga Universiteti Linnaeus në Suedi, i specializuar në transportin e qëndrueshëm dhe me eksperiencë si këshilltar në OKB dhe Bankën Botërore, paralajmëron se në 80 vitet e ardhshme turizmi do të jetë një luks i panjohur për shumicën e njerëzve.
Ai argumenton se nuk do të kemi thjesht një ndryshim në mënyrën e udhëtimeve, por një rënia të vetë konceptit të turizmit masiv, ashtu siç e njohim sot.
Duke folur në një konferencë ndërkombëtare turizmi (ITB Berlin), përpara operatorëve turistikë, hoteleve, kompanive të makinave me qira dhe linjave të lundrimit, Gössling deklaroi: “Ne kemi hyrë tashmë në fillimin e epokës së jo-turizmit.”
Ky paralajmërim vjen në një moment kur sektori sapo ka nisur të rikuperohet nga pasojat e pandemisë, duke u kthyer në nivelet e dikurshme. Por sipas kërkimeve të tij, ndotja nga karboni që gjeneron valët e të nxehtit, thatësirat, zjarret dhe shkatërrimin e kulturave, do të rrisë ndjeshëm koston e udhëtimeve ndërkombëtare, duke i bërë ato të papërballueshme për shumicën e njerëzve.
Nga Alpet deri në Shqipëri
Shembujt janë të shumtë:
Qendrat e skive në Alpe rrezikojnë mbijetesën për shkak të mungesës së borës.
Erozioni i bregdetit zhduk gradualisht rërën nga plazhet e Europës.
Thatësirat në Spanjë detyrojnë hotelet të sjellin ujë të ëmbël nga zona të tjera.
Zjarret në Shqipëri dëmtojnë rëndë zonat turistike çdo verë.
Kriza klimatike dhe impakti në turizmin shqiptar
Ndryshimet klimatike nuk do të kursejnë as Shqipërinë, e cila vitet e fundit është promovuar fuqishëm si destinacion turistik ndërkombëtar. Siç ndodh me Greqinë dhe vendet e tjera të Mesdheut, edhe brigjet shqiptare janë veçanërisht të ekspozuara ndaj eruzionit bregdetar, zjarreve dhe mungesës së ujit.
Plazhet shqiptare, që janë pasuria kryesore turistike e vendit, rrezikojnë të humbin pjesë të konsiderueshme të vijës së rërës për shkak të ngritjes së nivelit të detit dhe erozionit të vazhdueshëm.
Zjarret verore tashmë janë një realitet i përsëritur, sidomos në zonat pyjore pranë rivierës dhe maleve, duke krijuar pasiguri për turistët dhe dëme për mjedisin.
Thatësirat mund të detyrojnë hotelet dhe resortet të përballen me mungesë uji të pijshëm, duke rritur kostot e operimit dhe duke ulur cilësinë e shërbimit.
Rritja e çmimeve globale për ushqimet dhe energjinë, së bashku me nevojën për sigurime kundër fenomeneve ekstreme, pritet të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në bizneset turistike shqiptare.
Nëse këto trende përshkallëzohen, Shqipëria rrezikon të humbasë avantazhin e saj si destinacion me çmime të ulëta dhe natyrë të paprekur, duke u përballur me një turizëm më të shtrenjtë, më të pasigurt dhe potencialisht më të pakët.
Në një studim të përbashkët me Daniel Scott nga Universiteti i Waterloo, me titull “Kërkesa turistike dhe zhvillimi i destinacioneve në kushtet e ndryshimeve klimatike”, theksohet se ishujt e Egjeut Jugor (Rodos, Kos, Mikonos etj.) janë “hotspot”-i më i rrezikuar turistik në Europë. Pas tyre vijnë edhe ishujt e Jonit, si Korfuzi.
Kostot e reja dhe rritja e çmimeve
Sipas studimit, përveç dëmeve klimatike, një faktor kyç do të jetë rritja e çmimeve.
Kompanitë e udhëtimeve do t’ia kalojnë konsumatorëve kostot shtesë.
Rritja e çmimeve të ushqimeve bazë (kafe, çokollatë, vaj ulliri) do ta rëndojë më tej barrën.
Policat e sigurimit për fenomene ekstreme klimatike do të bëhen gjithnjë e më të shtrenjta.
Gössling thotë se edhe pse disa dëme mund të zbuten me adaptim – për shembull, me investime në teknologji apo infrastrukturë – kjo do të ketë një kosto shumë të lartë. Për sektorin e aviacionit, kufizimet natyrore e bëjnë akoma më të vështirë uljen e emetimeve. Përpjekjet e qeverive për të vendosur taksë karboni mbi fluturimet, sipas tij, janë më tepër një formë “greenwashing” sesa një zgjidhje reale.
Përgjegjësia e pabarabartë
Profesori thekson se turizmi llogaritet për 8,8% të emetimeve globale të karbonit. Por problemin kryesor e krijon pabarazia: vetëm 2-4% e njerëzve në botë udhëtojnë jashtë vendit çdo vit, ndërsa 1% e popullsisë globale është përgjegjëse për gjysmën e ndotjes së shkaktuar nga fluturimet ajrore.
“Nëse ky 1% do të udhëtonte gjysmën e herëve që udhëton sot, do të reduktonim emetimet nga aviacioni me 25%,” shpjegon ai.
Gjithsesi, edhe qytetarët në vendet e pasura duhet të udhëtojnë më pak. “Problemi ynë janë udhëtimet në distanca të gjata,” shton Gössling, duke kritikuar kulturën e promovuar nga influencer-ët e gjeneratës Z që paraqesin turizmin si mënyrë jetese luksoze.
***
Kriza klimatike nuk do të prekë vetëm natyrën, por edhe një nga sektorët më të mëdhenj të ekonomisë botërore – turizmin. Ndërsa hotelet instalojnë panele diellore dhe shoqëritë fillojnë të ndërgjegjësohen, profesori paralajmëron: “E kemi shumë të vështirë të kalojmë nga njohja e problemit në veprim.”
Pyetja mbetet: a do të mundet bota të përshtatet përpara se turizmi të bëhet një luks i paarritshëm për shumicën? /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





