

Vrasja e 36-vjeçares në Greqi nga bashkëshorti i saj – “M’u errësua shikimi”, tha para vajzës së tij 18-vjeçare
Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Volosit në Greqi të premten në mëngjes, kur 40-vjeçari Pandeli Nakoleci akuzohet se vrau bashkëshorten e tij 36-vjeçare Marjola Nakoleci para syve të fëmijëve.
Ngjarja, e cila po hetohet si femicide në kuadër të dhunës në familje, ka lënë të shokuar opinionin publik.
I pamëshirshëm dhe i ftohtë
Autori i krimit u arrestua dje, ndërsa sot u dërgua para Prokurorisë, ku ndaj tij u ngrit akuza për “vrasje me paramendim ndaj viktimës së dhunës në familje”. Ai del në gjyq me seancë paraprake ditën e martë.
Përballja me vajzën 18-vjeçare
Sipas burimeve nga hetuesia, vajza e tij 18-vjeçare e vizitoi të atin në ambientet e paraburgimit dhe e pyeti hapur: – “Pse e bëre? Pse e vrave mamanë?” 40-vjeçari iu përgjigj vetëm me fjalët: “M’u errësua shikimi, nuk doja ta bëja.”
Sipas dëshmive, ai u shfaq sikur po pendohej përballë vajzës, duke i thënë se e kuptoi vonë gabimin e tij.
Megjithatë, vajza 18-vjeçare, e cila pak orë pas krimit deklaroi për mediat se për të dhe për tre vëllezërit e saj “ka vdekur edhe babai me atë që bëri”, e priti këtë takim me qetësi dhe vendosmëri. Ajo tha se do ta shihte vetëm për t’i thënë “jazëk të qoftë” dhe se do të kërkojë drejtësi për nënën e saj.
Xhelozia dhe mesazhet në rrjete sociale
Nga dëshmitë e të afërmve rezulton se çifti kishte probleme prej kohësh. Motivi i grindjes fatale dyshohet të kenë qenë disa mesazhe në Facebook, të cilat burri i interpretoi si tradhti. Viktima kishte shprehur dëshirën për të kërkuar divorcin, por 40-vjeçari nuk pranonte.
Një i afërm i tij dëshmoi se burri kishte pasur episode xhelozie pa prova konkrete dhe se madje kishte tentuar vetëvrasje disa javë më parë për të njëjtën arsye.
Çfarë bëri pas vrasjes
Në dëshminë e dhënë, Pandi rrëfeu se pas sherrit me gruan dhe pas sulmit ndaj saj, filloi të endet në qytet, duke u fshehur sa herë që shihte makina policie. Kaloi natën në një parking të braktisur, pa ngrënë dhe me vetëm pak ujë. Po ashtu, ai ndryshoi rrobat pas krimit për të fshehur gjurmët. Hoqi teshat e tij dhe gjeti në kazan plehrash të tjera dhe i veshi. Ende nuk është gjetur arma e krimit, që dyshohet të ketë qenë një mjet kuzhine ose mjet gatimi.
Hetime për trajtimin psikiatrik
Ndërkohë, Prokuroria ka urdhëruar një hetim të posaçëm mbi mënyrën se si 40-vjeçari kishte dalë nga psikiatria vetëm pak javë më parë, ku ishte shtruar pas një tentative vetëvrasjeje. Do të shqyrtohet nëse ai mori trajtimin e duhur dhe kush lejoi daljen e tij.
Gjithashtu, është hapur një proces për kujdestarinë e katër fëmijëve të mitur të çiftit, me qëllim vendosjen e tyre në kushte të sigurta. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





