

Tiranë, 24 gusht 2025
Policia e Shtetit vijon aksionin “Siguria Detare”, duke rritur kontrollet dhe monitorimet në të gjithë hapësirën detare, liqenore dhe lumore të vendit, me synim garantimin e sigurisë për pushuesit dhe drejtuesit e mjeteve lundruese.
Nga Koman në Ksamil, gjatë javës së fundit janë kontrolluar 414 mjete lundruese, prej të cilave 26 janë bllokuar për shkelje të ndryshme të rregullave. Konkretisht, janë ndaluar 16 jet ski, 4 skafe, 3 gomone dhe 3 varka metalike me motorë uji të instaluar.
Në 11 raste, mjetet u konstatuan duke lëvizur brenda perimetrit të sigurisë, duke vënë në rrezik jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre u gjobitën me nga 100 mijë lekë secili.
Ndërkohë, falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare, u shpëtuan në det 28 shtetas shqiptarë dhe të huaj, si dhe 9 mjete lundruese.
Policia Kufitare apelon për respektimin strikt të rregullave të lundrimit, duke shmangur hyrjen në perimetrin e sigurisë dhe duke u pajisur me mjetet e nevojshme të shpëtimit. Ajo u bën thirrje qytetarëve dhe pushuesve të denoncojnë çdo rast shkeljeje në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete ndaj çdo shkelësi.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





