Transmetuar më 23-08-2025, 22:27

GREQI- Me fjalë që përshkruajnë madhësinë e dhimbjes, vajza 18-vjeçare e Marjola Nakolecit, që u vra në Volos nga bashkëshorti i saj, flet për tragjedinë që shkatërroi familjen e saj dhe për vendimin për t’i qëndruar pranë vëllezërve e motrave të saj më të vegjël. Duke folur për mediat greke, 18-vjeçarja ka deklaruar se do të hakmerret ndaj babait të saj.

"Atë që i bëri ai mamasë sime, do t’ia bëj edhe unë atij. Do të hakmerrem ndaj tij. Nuk dua ta shoh më kurrë në sytë e mi! Por do të sigurohem ta takoj, sepse dua t’i them "turp", tha ajo.

Vajza më e madhe e familjes përshkroi se tani ndihet sikur i ka humbur të dy prindërit e saj.

"E humba atë, ajo i la duart e tij , por për mua të dy janë të vdekur. I dua prindërit e mi, por tani të dy janë të vdekur. Jam unë dhe vëllezërit e motrat e mia," tha ajo.

Në një rrëfim prekës, vajza e re deklaroi se që tani e tutje do të marrë rolin e nënës dhe të babait për vëllezërit e motrat e saj më të vegjël.

"Nuk kam më as nënë as baba. Ashtu si vëllezërit e motrat e mia më të vegjël. Do të bëhem edhe nënë edhe baba për ta që tani e tutje. Nuk do ta tregoj sekretin e familjes sime. Do ta mbaj për vete. E dimë çfarë po kalonim. Ata e kishin zili nënën time dhe ne, fëmijët e saj. Ne ishim një familje që ata e kishin zili dhe e admironin. Tani ai na ka shkatërruar," përfundoi ajo.

Vrasja e shqiptares në Volos

40-vjeçari shqiptar, Pandeli Nakoleci ka vrarë gruan e tij 36-vjeçare, Marjola Nakoleci në Volos të Greqisë. Pas ngjarjes së rëndë autori është arratisur, ndërsa vrasja ka ndodhur në pallatin ku jetonin, në rrugën Konstanta. Sherri mes çiftit filloi në apartamentin e tyre dhe më pas zbritën në hyrje të pallatit ku vazhduan të ziheshin, derisa ai e goditi gruan me thikë në qafë dhe shpinë.

Krimi ka ndodhur në sy të njërit prej 4 fëmijëve, ndërsa të tjerët ishin brenda në banesë. 16-vjeçarja ka deklaruar para policisë se ka parë babain e tij duke therur me thikë mamanë. Mediat greke kanë raportuar gjithashtu se viktima ka vdekur nga gjakderdhja ndërsa plaga mund t jetë shkaktuar nga një thikë ose nga përplasja në një dritare xhami.

Pandeli Nakoleci është akuzuar në të kaluarën për pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe shkelje të ligjeve për drogë, ndërsa në fund të qershorit 2025 ai u transferua me urdhër të prokurorit në një klinikë për ekzaminim psikiatrik, ku qëndroi për shtrim në spital

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit