Transmetuar më 23-08-2025, 21:55

Edhe pse shpesh është e vështirë të dallosh një njeri manipulues, ekzistojnë disa shenja që mund t’i vëresh duke i kushtuar vëmendje fjalëve dhe mënyrës së sjelljes së tij.

Edhe pse gënjeshtarët përpiqen shumë të fshehin qëllimet e tyre të vërteta, ata i zbulojnë ato përmes “mikro-sjelljeve” dhe devijimeve të vogla.

Sipas neuroshkencëtares Berit Brogaard, DMSci., Ph.D. nga Universiteti i Majamit, këto janë 5 shenjat kryesore që tregojnë se dikush mund të po përpiqet të të manipulojë.

1. E tepron me “sinqeritetin” e tij

Nëse dikush përsërit vazhdimisht se sa i sinqertë është, shpesh ndodh e kundërta. Studimet tregojnë se gënjeshtarët shqetësohen më shumë që të tjerët të mos i besojnë, ndaj theksojnë vazhdimisht ndershmërinë e tyre. Kur kjo bëhet shpesh, është një shenjë paralajmëruese se ndoshta përpiqet të të manipulojë.

2. Ndryshon vazhdimisht ato që thotë

Të mbash një histori të rreme kërkon më shumë punë mendore se të thuash të vërtetën. Për këtë arsye, njerëzit manipulues shpesh bien në kontradikta ose japin pak detaje. Nëse dikush ndryshon vazhdimisht versionin e tij ose nuk është i qëndrueshëm, duhet të jesh i kujdesshëm.

3. Sillet pa respekt ndaj atyre që kanë më pak pushtet

Mënyra si trajton dikë me më pak fuqi – p.sh. një kamarier, një punonjës, një arkëtar – thotë shumë për karakterin e tij. Nëse është i sjellshëm vetëm me njerëzit që “i duhen” dhe tregon përçmim ndaj të tjerëve, kjo lidhet shpesh me tipare manipulimi dhe mungesë besueshmërie.

4. Të lëvdon në mënyrë të tepruar

Komplimentet janë normale dhe të këndshme, por kur janë të shpeshta dhe të ekzagjeruara, mund të përdoren si mjet manipulimi. Shumë studime tregojnë se njerëzit janë të ndjeshëm ndaj lajkatave, edhe kur mendojnë se nuk janë. Nëse dikush përpiqet vazhdimisht të të bëjë të ndihesh i veçantë në mënyrë artificiale, qëllimi mund të jetë kontrolli.

5. Flet shumë pas shpinës së të tjerëve

Dikush që shpesh ndan thashetheme dhe sekrete për të tjerët, me shumë gjasa do të bëjë të njëjtën gjë edhe me ty. Kjo është një shenjë e qartë se nuk është i besueshëm dhe se mund të përdorë informacionin për të manipuluar situata.

***

Nëse vëren këto shenja – teprim me sinqeritetin, mospërputhje në fjalë, mungesë respekti, lajka të shumta dhe thashetheme – është mirë të jesh më i kujdesshëm, sepse mund të kesh përballë një person manipulues. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit