Transmetuar më 23-08-2025, 13:00

Është finalizuar në Laç një operacion policor që çoi në arrestimin e një shtetasi 40-vjeçar nga Lezha, i cili kishte përdorur katër identitete të ndryshme. Ai akuzohet për një sërë veprash penale të kryera në Spanjë dhe është ndaluar me qëllim ekstradimin.

I arrestuari njihej me emrat Gjergj Gjoka, Gjergj Marku, Gjergj Ruqja dhe Gjergi Ruqja. Për të, Gjykata e Instruksionit nr. 1 në Castellon de la Plana kishte lëshuar masën e sigurisë “arrest në burg” në vitin 2025, për veprat penale: “Krime kundër shëndetit publik/Kultivim i bimëve narkotike”, “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Vjedhje e energjisë elektrike”.

Sipas dosjes hetimore, 40-vjeçari ishte pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, me role të ndara mes anëtarëve. Ata siguronin ambiente, i merrnin me qira dhe i përshtatnin për kultivimin e drogës, duke instaluar pajisje të posaçme për këtë qëllim.

Në Spanjë, gjatë kontrolleve të kryera më herët, janë zbuluar dy ambiente të mëdha të përshtatura për kultivim narkotikësh: një në Oropesa dhe një tjetër në Cabanes.

Aktualisht, autoritetet shqiptare po bashkëpunojnë me homologët spanjollë për të finalizuar procedurat e ekstradimit të tij. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit