

VLORË- Disa vatrja zjarri përfshinë mbrëmjen e kaluar zonat e Dukatit, Drashovicës në qarkun e Vlorës. Zjarret raportohet se ishin të qëllimshme dhe kjo ngriti alarm tek autoritetet dhe banorët lokalë. Lidhur me situatën ka reaguar edhe Ministria e Mbrojtjes, e cila ka dhënë detajet e fundit se si paraqitet situata. Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, dyshohet që zjarret janë shkaktuar nga një grup i strukturuar kriminal, që ka vepruar me qëllim dhe në mënyrë të koordinuar.
Konkretisht zjarret u shfaqën mes orës 20:15 dhe 22:15, në një periudhë kohe që konsiderohet kritike për shkak të pamundësisë për ndërhyrje ajrore. Dukat i Ri ishte një nga vatrat më të rrezikshme, por falë reagimit të menjëhershëm të emergjencave civile, zjarri u izolua dhe u shmang çdo rrezik për banesat. Ndërkohë, tre vatra aktive në lartësitë e Drashovicës dhe dy të tjera në Vajzë mbeten ende të pakontrolluara.
Reagimi:
Sonte, mes orës 20:15 dhe 22:15, është shfaqur një numër i konsiderueshëm vatrash zjarri në fshatrat Dukat, Drashovicë dhe Vajzë. Pas reagimit të shpejtë të emergjencave civile të Vlorës, zjarri në fshatin Dukat i Ri është izoluar plotësisht, duke evituar përkeqësimin e situatës dhe rrezikun ndaj zonave të banuara. Ndërkohë, 3 vatrat e shfaqura njëherazi në lartësitë e staneve të Drashovicës dhe 2 vatrat e shfaqura në orën e fundit në Vajzë mbeten aktive.
Forcat zjarrfikëse vendore dhe Forcat e Armatosura janë në terren në këto dy fshatra, duke krijuar perimetra sigurie. Tipologjia dhe kronologjia e këtyre vatrave krijojnë bindjen e arsyeshme se kemi të bëjmë jo vetëm me zjarrvënie të qëllimshme, por me një grup të strukturuar kriminal në veprim në këtë zonë, anëtarët e të cilit kanë zgjedhur të veprojnë në orët e natës, kur është e pamundur ndërhyrja nga ajri. Forcat operacionale do të mbeten të angazhuara në terren përgjatë gjithë natës, për të siguruar banesat dhe pronat e qytetarëve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






