

Çfarë gabimi bënë 4 të rinjtë klientë në Luna Parkun e Rodosit në Greqi dhe u flakën jashtë nga “tepsia” (Tagada)
Shkelje e rregullave të sigurisë nga 4 të rinjtë e plagosur në Luna Parkun në Kremasti të Rodosit, ditën e 15 Gushtit, tregon raporti i parë teknik i hartuar nga inxhinieri-mekanolog që bëri autopsinë në lojën “tepsia”.
Portali “Zougla” publikoi detajet e raportit, i cili tashmë është dorëzuar tek autoritetet. “Gjatë funksionimit të lojës «TAGADA-TEPSIA» në Kremasti të Rodosit, më 15 gusht 2025, (në pronësi të kompanisë «……»), katër lojtarë u vunë re nga operatori se ishin ngritur në këmbë.
Operatori, sapo e kuptoi këtë, uli shpejtësinë e rrotullimit, me qëllim që gradualisht të ndalte lojën.
Lojtarët kishin plotësisht aftësi perceptimi, por injoruan si shenjën me shkrim të afishuar, ashtu edhe urdhrin verbal të operatorit: «MOS U NGRENI NË KËMBË».
Lojtarët pësuan atë që parashikojnë ligjet e Njutonit: në këtë rast u hodhën si “akrobatë” mbi kangjellat mbrojtëse të karriges.
Këtë herë fati ishte me ta dhe nuk pati viktima. Nga presioni i peshës së lojtarëve mbi kangjellat, pjesa e sipërme e karriges poliestere u përkul nga 8 deri në 19 centimetra.
Më pas, në mediat u përhapën thashetheme, se gjoja u thye pjesë e lojës dhe për këtë arsye u flakën lojtarët.
Policia Greke e cila ndërhyri menjëherë pas aksidentit, disponon fotografitë përkatëse. Loja kishte licencë të rregullt funksionimi.
Ky rast, pra zhvillimi i forcave mbi trupin e lojtarit gjatë lëvizjes së lojës, është një ushtrim interesant Fizike të vitit të dytë të gjimnazit.
Ka gjithashtu interes të veçantë kur e krahasojmë me qarkullimin rrugor: nxjerrja në pah e çështjes në formën e plotë shkencore, ndoshta mund të ndihmojë edhe në uljen e vdekjeve nga aksidentet rrugore që shkaktohen nga guximi i tepruar i shoferëve.”
Rregullat e sigurisë për “tepsinë”
Në të njëjtin raport përshkruhet edhe vetë loja: «TAGADA – TEPSIA»: Loja përbëhet nga një platformë rrotulluese me diametër 6,75 m, në formë tepsie.
Platforma-tepsi rrotullohet me lëvizje lart-poshtë, pra rrotullimi është i pabarabartë, duke bërë që edhe lartësia e lojtarit nga dyshemeja të ndryshojë. Përreth saj ndodhen dy radhë karrigesh ku lojtarët ulen pranë njëri-tjetrit.
Karriget janë të thelluara, në mënyrë që qendra e gravitetit të lojtarit të mbetet e sigurt ndaj reagimit vertikal që zhvillohet gjatë rrotullimit. Ky dizajn detyron shpinën e lojtarit të ngjitet me pjesën e pasme të karriges, në mënyrë që fërkimi statik midis tyre të pengojë lojtarin të “fluturojë” jashtë vendit.
Mbi pjesën e pasme të karriges ndodhen tuba rrethorë mbrojtës, ku lojtarët duhet të mbahen me duar të shtrira. Mbi këtë shufër rrethore ndodhet një palë tubash të tjerë me mbushje prej sfungjeri, në nivelin e qafës dhe kokës, për mbrojtje shtesë. Pra, siguria e lojtarit sigurohet nga fërkimi statik mes shpinës së tij dhe karriges.
Megjithatë, lojtarët duhet të mbahen patjetër me duar nga tubat rrethorë, duke respektuar urdhrin e detyrueshëm të operatorit: «MOS U NGRENI NGA VENDI JUAJ». Ky urdhër është i shkruar edhe në tabelën me rregullat e lojës. Loja konsiderohet për arsye të qarta si një nga lojërat më “tërheqëse” të Luna Parkut.
Kur një lojtar, nga guximi apo dëshira për t’u treguar, ngrihet nga vendi, ose kur, p.sh., një vajzë bezdiset nga djali ngjitur dhe ngrihet, atëherë fërkimi statik anulohet dhe lind rreziku i menjëhershëm i rënies brenda ose jashtë tepsisë. Pasojat e rënies mund të jenë fatale.
Mekanizmi rrotullues është i mbrojtur me një gardh prej druri, ndërsa korridoret e hipjes-zbritjes janë të mbrojtura me gardh metalik.
Hetimi për shkaqet e aksidentit është ende në zhvillim, ndërkohë që Bashkia e Rodosit ka pezulluar funksionimin e Luna Parkut. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






