

Divjakë, 20 gusht 2025 – Një ngjarje e rëndë tronditi fshatin Kryekuq të Divjakës në orët e para të mëngjesit, ku një 32-vjeçar humbi jetën si pasojë e një goditjeje me thikë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, shtetasi Besmir Kumria, 32 vjeç, u qëllua me mjet prerës në një lokal, ndërsa ndodhej në shoqërinë e miqve të tij. Autori i dyshuar u largua menjëherë pas krimit, por u kap pas disa orësh ndjekjeje nga shërbimet operacionale të DVP Fier.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, forcat e Komisariatit të Policisë Divjakë mbërritën në vendngjarje, ku ngritën një grup të posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorit.
Pas veprimeve të shpejta operacionale, Policia arrestoi autorin e dyshuar, Xhesion Toromeni, 25 vjeç, banues në Kryekuq. Ai do të përballet me akuzat për “Vrasje me paramendim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta.”
Nga hetimet paraprake rezulton se krimi ka ndodhur për motive të hershme konflikti mes familjeve të autorit dhe viktimës, të cilat prej kohësh kishin mosmarrëveshje për një kanal vaditës në fshat.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes.
Besmir Kumria
DIVJAKË- Njoftimi i policisë:
Goditi me thikë një shtetas, i cili për pasojë humbi jetën; pas veprimeve të shpejta dhe profesionale të Policisë u identifikua dhe u vu në pranga autori i dyshuar. Pas vrasjes, autori u largua, por u kap pas disa orësh ndjekjeje nga shërbimet operacionale të DVP Fier.
Gjatë mesnatës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Kryekuq një shtetas i paidentifikuar kishte hyrë në një lokal dhe kishte goditur me mjet prerës shtetasin B. K., 32 vjeç (i cili ishte në shoqërinë e miqve të tij), shkuan menjëherë në adresën e dhënë. U ngrit grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i ndjekjes së pandërprerë nga forcat operacionale të DVP Fier, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në Polici i autorit të dyshuar, shtetasit Xh. T., 25 vjeç, banues në Kryekuq, i cili do të arrestohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi Xh. T. e ka vrarë shtetasin B. K., pasi familjet e tyre kanë pasur konflikte të vazhdueshme për një kanal vaditës në fshat. Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






