

Tiranë – 19 gusht 2025 Qeveria ka propozuar ndryshime të rëndësishme në organizimin e administratës publike, me synim rritjen e efikasitetit dhe llogaridhënies së institucioneve jo-ministrore. Sipas projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 90/2012, për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, kategoritë e institucioneve jo-ministrore do të reduktohen nga tre në dy, duke bashkuar Institucionet e Varësisë dhe Agjencitë Autonome në një kategori të vetme dhe duke rikonceptuar Autoritetet Rregullatore si një lloj të veçantë me autonomi funksionale të garantuar sipas standardeve evropiane.
Drafti parashikon gjithashtu vendosjen e një pragu minimal të punonjësve për krijimin e institucioneve në varësi të ministrive, duke siguruar që ato të kenë kapacitet të mjaftueshëm funksional. Një tipologji e re “Drejtoria” do të krijohet brenda aparatit të ministrisë, me status të posaçëm dhe autonomi të rritur në bazë të delegimit të ministrit, pa personalitet juridik të pavarur.
Sipas relacionit shpjegues, dallimi aktual midis Institucioneve të Varësisë dhe Agjencive Autonome nuk bazohet në kritere funksionale, ndërsa Autoritetet Rregullatore, që raportojnë direkt Kuvendit, krijojnë sfida në ndarjen e pushteteve dhe llogaridhënien qeveritare. Drafti synon të uniformojë mbikëqyrjen dhe sistemin e llogaridhënies për të gjitha institucionet jo-ministrore, duke përmirësuar koordinimin dhe efektivitetin e aparatit shtetëror.
Për institucionet në varësi të Kryeministrit, projektligji propozon vendosjen e kritereve pozitive dhe negative për krijimin e tyre, si dhe rregulla të qarta për delegimin e vendimmarrjes brenda varësisë së një institucioni, duke rritur transparencën dhe kontrollin mbi funksionimin e tyre.
Sipas draftit, çdo ndryshim i mundshëm institucional duhet të shoqërohet me analiza të detajuara nga ministritë përkatëse dhe vlerësim nga Departamenti i Administratës Publike, i cili do të ketë rol kryesor në procesin e miratimit të institucioneve të reja.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






