

Vladimir Putin ka sugjeruar Moskën si vend për një takim me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky-n, sipas dy burimeve të njohura me telefonatën midis Donald Trump dhe presidentit rus. “Putin përmendi Moskën” gjatë telefonatës së tyre të hënën, tha një nga burimet për AFP-në, duke shtuar se Zelensky u përgjigj “jo”.
Gjeneva, një opsion i mundshëm për samitin
Ndërkohë, si një alternativë për këtë takim, po përmendet gjithnjë e më shumë Gjeneva.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka propozuar që samiti të mbahet në një “vend neutral”, me Zvicrën dhe më konkretisht Gjenevën në krye të listës. Macron, pas vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë, tha për mediat franceze se “kjo nuk është thjesht një hipotezë, por vullneti kolektiv i udhëheqësve”.
Ministri i Jashtëm zviceran, Ignazio Cassis, e ka konfirmuar këtë opsion duke shprehur gatishmërinë e Zvicrës për të mikpritur takimin. Ai theksoi rëndësinë e rolit të veçantë të Gjenevës si selia evropiane e Kombeve të Bashkuara, duke shtuar se Zvicra është mirënjohëse për besimin që i është dhënë.
Megjithatë, organizimi i takimit në Zvicër sjell sfida ligjore të rëndësishme. Si nënshkruese e Traktatit të Romës, Zvicra do të ishte e detyruar të arrestonte Putinin, i cili aktualisht është i akuzuar për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.
Por Cassis thekson se, duke marrë parasysh rolin special të Zvicrës dhe statusin e Gjenevës, ekziston mundësia e një fleksibiliteti që mund të sigurojë imunitet të përkohshëm për Putinin gjatë këtij takimi, për të lehtësuar zhvillimin e bisedimeve.
“Ne mund ta bëjmë këtë pavarësisht urdhrit të arrestimit kundër Putinit për shkak të rolit tonë të veçantë dhe rolit të Gjenevës si selia europiane e Kombeve të Bashkuara,” u shpreh ministri zviceran në një deklaratë për mediat.
Vëmendja e botës është e përqendruar te vendimi final për vendtakimin e samitit që mund të shënojë një hap të rëndësishëm drejt zgjidhjes së krizës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Mbajtja e një takimi të tillë në një vend neutral si Gjeneva do të jetë jo vetëm simbolik, por edhe praktik për të siguruar një ambient të sigurt dhe të paanshëm për negociatat.
Nga ana tjetër, nëse Moska pret Zelenskyn në territorin e saj, kjo do të shënonte një zhvillim të jashtëzakonshëm në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






