Transmetuar më 19-08-2025, 14:15

Bisedimet për një marrëveshje paqeje mes Ukrainës, SHBA-së dhe liderëve evropianë u përqëndruan tek çështjet territoriale dhe garancitë e sigurisë.

Rusia kontrollon aktualisht rreth një të pestën e territorit të Ukrainës, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se ndryshimet territoriale janë thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve.

“Strategjikisht, është e rëndësishme për Rusinë sepse, duke marrë Donbasin, Khersonin, Mykolaivin dhe Zaporizhzhian, ajo fiton qasje më të gjerë në Detin e Zi. Nëse arrin edhe Odesën, atëherë Ukraina mbetet pa dalje në det“, tha Marnie Howlett.

Por, sipas ekspertes, objektivi i Kremlinit shkon përtej Donbasit.

“Në fakt, Rusia synon të marrë gjithë Ukrainën, jo vetëm Donetskun dhe Luhanskun. Moska ka treguar se nuk ka ndërmend të ndalet sapo të sigurojë këto territore“, tha Marnie Howlett.

Edhe pse Rusia kërkon territore, realiteti është se shumë prej tyre janë të rrënuara nga lufta.

“Një ushtar më tha sot se në qytete si Soledar, Mariupol e Bakhmut nuk ka mbetur asgjë, vetëm gurë dhe rrënoja“, tha Marnie Howlett.

Howlett paralajmëron se legjitimimi i pushtimeve të tilla do të hapte rrugën për agresione të tjera ruse.

“Nëse pranohet ndryshimi i kufijve me forcë, atëherë hapet dera që edhe kufijtë e tjerë të botës të ndryshohen po ashtu me forcë. Ky është një precedent i rrezikshëm“, tha Marnie Howlett.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy ka thënë se nuk do të heqë dorë nga territoret dhe se asnjë pjesë e Ukrainës nuk është tokë private për t’u shkëmbyer. Por sondazhet ndahen në dy kategori.

Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë i Kievit thotë se një sondazh i opinionit në qershor tregoi se 68% e të anketuarve kundërshtojnë idenë e njohjes zyrtare të tokës së pushtuar si ruse, ndërsa 24% janë të hapur për këtë.

“Nëse Zelensky do të pranonte dorëzimin e territoreve, do të kishte tronditje të madhe. Vullnetarët dhe batalionet civile do të vazhdonin luftën edhe pa urdhër të qeverisë. Ukrainasit nuk do të ndalen pa garanci serioze sigurie nga NATO“, tha Marnie Howlett.

Një temë kyç e takimeve ishin garancitë e sigurisë që do t’i ofroheshin Kievit si pjesë e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftimeve.

Trump tha gjatë takimit me Zelenskyn se vendet evropiane do të siguronin “vijën e parë të mbrojtjes”, dhe Shtetet e Bashkuara do të “përfshiheshin”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit