

Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se ky i fundit i ka caktuar vetes pensionin më të lartë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë.
Sipas Berishës, Rama ka përcaktuar për veten një pension prej 4 milionë lekësh në muaj, që do të thotë rreth 48 milionë lekë në vit, në një kohë kur vendi ishte i përfshirë nga zjarret.
“Edi Rama caktoi për veten e tij një pension 30 herë më të madh se mesatarja e pensioneve në Shqipëri. Pensioni mesatar vjetor sipas INSTAT është vetëm 1.6 milionë lekë,” tha Berisha, duke shtuar se një vendim i tillë është i paprecedent dhe i denjë vetëm për “diktatorë të rrallë”.
Ai theksoi se edhe presidentit i është caktuar një pension më i ulët, prej 3.5 milionë lekësh në muaj, ndërkohë që për Ramën ky ka qenë “preokupimi i verës”, në vend që të merrej me problemet e qytetarëve.
“Ky është mashtrimi më i shëmtuar publik dhe një dëshmi e arrogancës së tij. E garantoj se kurrë nuk do ta gëzojë këtë pension,” u shpreh Berisha.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






