

Durrës – 49-vjeçarja shpallet në kërkim, arrestohet bashkëpunëtori 40-vjeçar
Durrës – Një 49-vjeçare, e cila ndodhej nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, është shpallur në kërkim nga Policia e Durrësit, pasi dyshohet se i ka ofruar marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës një 44-vjeçari.
Gjatë takimit në banesën e saj, një 40-vjeçar, që po ashtu ndodhej nën të njëjtën masë sigurie, i mori 44-vjeçarit me dhunë celularin dhe një shumë parash.
Policia arrestoi në flagrancë shtetasin Robert Lamnica, 40 vjeç, banues në fshatin Shënavlash, ndërsa shpalli në kërkim bashkëpunëtoren e tij, shtetasen Alma H., 49 vjeçe, banuese në Durrës.
Të dy këta shtetas kishin masë sigurie “Arrest në shtëpi” të vendosur më herët nga Gjykata e Durrësit, në kuadër të operacionit të koduar “Last Threat”, i zhvilluar në prill.
Materialet procedurale lidhur me rastin janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vijimin e veprimeve ligjore. /noa.al
Çfarë ndodhi më 23 prill 2025 në Durrës
Ushtronte prostitucion dhe më pas, në bashkëpunim me 1 mik të saj, kërcënonte me mjet prerës, klientët, për t’iu marrë shuma të mëdha parash, vihen në pranga 49-vjeçarja dhe bashkëpunëtori i saj 40-vjeçar.
Në pranga dhe një shtetas tjetër që shoqërohej me 40-vjeçarin, pasi gjatë kontrollit i gjetën një sasi lënde narkotike kokainë të ndarë në doza gati për shitje.
Sekuestrohet mjeti prerës, në banesën e 49-vjeçares.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës dhe Pasurisë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës dhe me mbështetjen e forcave operacionale të DVP Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar "Last Threat".
Në kuadër të operacionit u vunë në pranga shtetasit Robert Lamnica, 40 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës, Alla H., 49 vjeçe, banuese në Spitallë, Durrës dhe Armand Hysa, 21 vjeç, banues në Durrës.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Alma i ka ofruar favore seksuale, kundrejt pagesës, shtetasit F. Ç., në banesën e saj. Më pas, në bashkëpunim me Robertin, e kanë kërcënuar shtetasin F. Ç. me mjet prerës (thikë), dhe i kanë marrë 65.000 lekë të rinj.
Po nga hetimet ka rezultuar se Alma ushtronte prostitucion dhe më pas Roberti iu bënte foto intime klientëve, si dhe i kërcënonte për të paguar shuma të mëdha parash, me qëllim mospublikimin e fotove.
Operacioni kishte nisur një javë më parë. Gjatë tij, fillimisht u vu në Alma dhe më 23 prill 2025 u vu në pranga Robert Lamnica.
Po gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i Armand Hysa 21 vjeç, pasi në momentin e kapjes së Robertit ishte bashkë me të dhe gjatë kontrollit, Policia i gjeti një sasi lënde narkotike kokainë të ndarë në doza gati për shitje.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë që janë kërcënuar nga këta shtetas, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të veprimtarisë kriminale që kryhej nga këta shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për shtetasit R. L. dhe A. H., për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prostitucioni”, si dhe për 21-vjeçarin, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






