

Korçë, 15 gusht 2025 – Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Mollaj të Korçës, ku një 27-vjeçar mbeti i plagosur me thikë.
Burime nga hetimet paraprake bëjnë me dije se konflikti ka nisur për motive të dobëta. Shtetasi Ari Kodra, 27 vjeç, dhe autori i dyshuar, Aleks Qiqi, 41 vjeç, po konsumonin pije në të njëjtën tavolinë së bashku me persona të tjerë, kur mes tyre kanë nisur debatet dhe ngacmimet me fjalë.
Në kulmin e tensionit, Qiqi është larguar drejt banesës së tij, ka marrë një thikë dhe është rikthyer duke plagosur Kodrën. Pas ngjarjes, disa prej personave që ndodheshin në tavolinë kanë goditur fizikisht autorin, duke i shkaktuar dëmtime, të cilat mësohet se nuk rrezikojnë jetën.
I plagosuri 27-vjeçar ndodhet ende në sallën e reanimacionit të spitalit të Korçës, nën kujdesin e mjekëve, ndërsa autori është shoqëruar nga policia dhe po merr gjithashtu trajtim mjekësor.
Policia ka sekuestruar mjetin prerës që u përdor në ngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.




Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






