

14-vjeçari i mori jetën djalit moshatar, babai dhe xhaxhai fshehën armën, 4 shokë manipuluan policinë e Korçës, një i tetë mori arratinë me autorin. Prapaskenat e rënda të vrasjes në Maliq
Maliq/Prapaskenat e zbardhura: 8 të arrestuar pas vdekjes së 14-vjeçarit në Pirg, mes tyre familjarë dhe shokë të autorit të dyshuar

Policia e Korçës ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së rëndë të ndodhur një ditë më parë në fshatin Pirg, ku humbi jetën Erald Xhejo një 14-vjeçar nga fshati Zvirinë, gjatë një konflikti me një bashkëmoshatar të tij.
Hetimet kanë treguar se sherri ka nisur për motive banale të tipit “pse më shikon” dhe “pse më shan”. Dy të miturit kishin pasur fërkime të tilla prej disa muajsh dhe dje ishin takuar për t’u sqaruar.
Fatkeqësisht, situata është përshkallëzuar deri në përdorimin e një arme të ftohtë (thikë), duke përfunduar me vdekjen e njërit prej tyre.
Për këtë rast, u arrestuan 8 shtetas:
14-vjeçari autor i dyshuar i vrasjes, i cili pas ngjarjes tentoi të largohej nga vendngjarja me automjet;
Babai dhe xhaxhai i autorit të dyshuar, pasi kishin fshehur mjetin prerës (thikë) me të cilin u krye krimi;
4 të mitur të pranishëm gjatë konfliktit mes dy 14-vjeçarëve, të cilët përmes deklarimeve të tyre në Polici tentuan të pengonin zbulimin e së vërtetës;
Një 34-vjeçar, gjithashtu i pranishëm gjatë konfliktit, i cili tentoi të largohej nga vendngjarja në të njëjtin automjet me 14-vjeçarin.
Gjatë veprimeve hetimore u sekuestruan mjeti prerës (thikë), automjeti me të cilin tentuan të largoheshin 2 shtetasit dhe 5 celularë.

Hetimet u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Korçës.
Sipas Policisë, ngjarja ndodhi gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Në vijim të procedurave, u vunë në pranga:
Enedio G., 14 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. 14-vjeçari u dëmtua lehtë gjatë konfliktit, mori asistencën mjekësore dhe u largua nga spitali ditën e ngjarjes;
E. G., 44 vjeç dhe R. G., 44 vjeç, babai dhe xhaxhai i 14-vjeçarit, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
4 të mitur, banues në fshatin Zvirinë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
Flor Çela, 34 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






