Transmetuar më 15-08-2025, 07:09

TIRANË – Dinamo e Tiranës ka shkruar historinë në ‘Air Albania’. Djemtë e Ilir Dajës mposhtën 3-1 Hajdukun e Splitit në sfidën e kthimit të turit të tretë kualifikues të Conference League dhe shkojnë në play-off, ku gjejnë polakët e Jagiellonia. Kurrë në histori Dinamo nuk kishte kaluar dy ture në garat evropiane. Sfida e parë në Split ishte mbyllur 2-1 për kroatët, por në Tiranë ‘Blutë’ e Dinamos ishin më të freskët dhe eliminuan një ekip si gjigantët e Hajdukut. Më të saktë tanët që dominuan ndeshjen, paçka se dueli shkoi me shtesa.

Dinamo e nisi mirë ndeshjen dhe gjeti golin e epërsisë që në minutën e 14-të me Zabërgjën, pas asistit të Bregut. Në minutën e 78-të Hajduku mbeti me një lojtar më pak, pas daljes me karton të kuq të Sanyang. Koha e rregullt u mbyll 1-0 dhe me rezultatin e përgjithshëm 2-2 përballja iu drejtua shtesës.

Në minutën e 99-të festuan 2 mijë tifozët miq në stadium, pasi Hajduku barazoi me Karacic. Dinamo nuk u dorëzua dhe gjeti avantazhin me supergolin e Qardakut nga 25 metra largësi, në minutën e 109-të. Festë dhe tension në stadium, por Dinamo nuk u ndal me kaq, pasi shënoi edhe golin e tretë me Hekuran Berishën.

Në fund festë për Dinamon, me strategun Ilir Daja që merr kualifikimin e 14-të në karrierë. Kështu, Dinamo eliminon Hajdukun e Splitit dhe në play-off e Conference League luan me polakët e Jagiellonia.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit