Transmetuar më 14-08-2025, 15:26

Gazetarë që mbulojnë Fierin, pjesë të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë – qarku Fier, vlerësojnë me Certifikatë të Mirënjohjes, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Motivacioni është "për bashkëpunimin mjaft të mirë, transparent dhe në kohë, mes Policisë së Shtetit dhe medias, duke e konsideruar këtë bashkëpunim, si një model me standarde europiane, në funksion të interesit publik".

Me këtë rast, Proda priti në një takim gazetarë që i akorduan medaljen. Kryetari i Unionit për Fierin, Vladimir Muçaj, me gazetarët Mariglen Bita, Ervis Profka dhe gazetarin që mbulon qarkun Elbasan, Fatmir Popja, i dorëzuan Prodës Çertifikatën e Mirënjohjes, me motivacionin:

“Për kontribut të veçantë në forcimin e transparencës institucionale dhe përmirësimin e ndjeshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe medias. Puna juaj ka ndikuar pozitivisht në krijimin e një klime besimi, respekti dhe bashkëpunimi të ndërsjellë, duke e bërë informacionin publik më të aksesueshëm dhe komunikimin me gazetarët më efikas.”

Proda foli për "dialog dhe vlerësim të ndërsjellë…, me të gjithë gazetarët brenda dhe jashtë vendit që kanë interes të bashkëpunojnë dhe komunikojnë me Policinë e Shtetit.

Kryepolici shprehu angazhimin e Policisë për të thelluar më tej marrëdhëniet me median, si një komponent thelbësor i forcimit të rendit dhe sigurisë publike.

"Gazetarët janë gur themeli i shoqërisë, ura lidhëse mes Policisë dhe qytetarëve, syri dhe veshi i tyre, por dhe pasqyra ku ne shohim punën tonë. Shpeshherë, jeni edhe oponenca konstruktive që na ndihmon të kuptojmë se ku duhet të përmirësohemi. Transparenca dhe marrëdhënia korrekte me median nuk janë vetëm detyrim ligjor, por kulturë pune dhe bindje personale imja, të cilën e kam vendosur në themel të veprimtarisë sonë institucionale.

Ju siguroj se ky standard komunikimi dhe bashkëpunimi do të mbetet gjithmonë prioritet i Policisë së Shtetit. Ne do të jemi të hapur, të përgjegjshëm dhe të gatshëm për dialog, sepse e dimë se kur Policia dhe media punojnë së bashku me ndershmëri e besim, qytetarët fitojnë siguri, si dhe të vërtetën dhe shpresën për një shoqëri më të drejtë.

Dua t’ju siguroj gjithashtu se Policia e Shtetit tashmë ka një udhëzues dhe protokoll sigurie për mbrojtjen e gazetarëve, si dhe një pikë kontakti që ndjek në dinamikë çdo denoncim apo shqetësim tuajin. Ne jemi të angazhuar maksimalisht për sigurinë dhe mbrojtjen tuaj.”

Gazetari Vladimir Muçaj tha se "ky vlerësim është një dëshmi e qartë e progresit që ka bërë Policia e Shtetit në ndërtimin e një kulture të re institucionale, ku media nuk shihet si një pengesë, por si një partner përmes së cilës informacioni i saktë, i verifikuar dhe i shpejtë mbërrin te qytetari. Të falënderojmë me shumë sinqeritet për komunikimin që ke në përgjithësi me gazetarët, që pavarësisht ngarkesës së madhe të punës që ke, na kthen përgjigje në kohë reale, dhe kjo është hera e parë që ndodh në Policinë e Shtetit, që një Drejtor i Përgjithshëm i përgjigjet medias në kohë dhe duke adresuar tek personat përgjegjës për zgjidhjen e kërkesave të gazetarëve".

Gjatë takimit u diskutua gjerësisht për aspekte që mund të përmirësohen më tej në marrëdhënien media–polici, për sfidat në raportimin korrekt të ngjarjeve kriminale, për komunikimin më efikas në situata emergjente dhe për rritjen e aksesit të gazetarëve te informacioni zyrtar, pa cenuar hetimet apo proceset ligjore në vijim. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit