Transmetuar më 14-08-2025, 14:58

Gjatë videos së transmetuar live në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama iu përgjigjet edhe kritikave mbi menaxhimin e zjarreve në vend. Ai theksoi se të gjithë kanë qenë në këmbë, të angazhuar për të menaxhuar situatën.

Për kryeministrin, zjarret nuk mund të shuhen me forcë magjike, ndaj për ata që janë treguar kritikë ndaj qeverisë pas situatës kritike me flakët që rrethuan Delvinën apo Poliçanin, shefi i qeverisë solli raste të ngjashme nga Turqia e Spanja.

“Tani çështjen e fytyrës nuk po hyj ta diskutoj, por për cilat masa është fjala? Të gjithë kanë qenë në këmbë, 10 mijë e kusur forca janë përpjekur ditë natë në të gjitha nivelet me flakët dhe sikur të mos ishin në një kontekst më të gjerë dhe të mos kishim këto shtete në të njëjtin hall, mbase diku do të ishte përgjegjësi më e madhe, por faktikisht kur dikush të dalë dhe të më thotë se pse këto shtete më të fuqishme nuk arrijnë dot të parandalojnë zjarret dhe kanë zjarre atëherë mund të hyjmë e diskojmë ndryshe.

Nuk është fjala për të hequr përgjegjësitë. Ne i dimë përparimet, kufizimet, dimë çfarë kemi bërë dhe çfarë duhet të bëjmë, i dimë të gjitha por që të flitet nga kafja apo çadra e plazhit për faktin që pati zjarre dhe të ngrihen akuza, të bëhen përqeshje etj se pse nuk u parandaluan zjarret kjo është me të lënë pa tekst.”, tha Rama.

Lidhur me komentet se përse nuk kishte avionë mjaftueshëm, Rama solli disa shembuj nga Europa që gjithashtu sipas tij ndodhen në situata të ngjashme me zjarret, pavarësisht se kanë kapacitete më të mëdha.

“Në gusht janë djegur 440 mijë hektarë në territorin e Europës dhe pjesa dërrmuese e tyre në territorin e Europës jugore. Bëhet fjalë për dyfishin e mesatares së llogaritur të 20 viteve të fundit. Ne mund të flasim shumë, ne mund të japim shumë mendime, disa mund të thonë duhen avionë më shumë, por po flasim për fuqi të mëdha.

Spanja është një nga fuqitë më të mëdha të NATO dhe është përballur me një situatë shumë të rëndë. Turqia ka 55 mijë e 500 njerëz të evakuuar në këto momente që flasim. Dhe dihet se çfarë avionësh, dronësh e ushtarë ka Turqia. Duhet një reflektim i vockël për të mos bërë menjëherë nxjerrjen e konkluzioneve dhe për të kuptuar që patjetër ka gjëra që duhen bërë më shumë më mirë, që duhen përmirësuar, por nuk ka asnjë forcë magjike që të ndalojë zjarret. Ky është një fenomen që po shkon duke u bërë gjithmonë e më prezent dhe po ju them që në mes të korrikut të dhënat e Sistemit Europian të Zjarreve në Pyjeve tregojnë se 230 mijë hektarë u dogjën brenda kufijve të BE që do të thotë rreth 117% mbi mesataren e 20 viteve të fundit, më shumë se dyfishi. Dhe nuk mund të thuash që në ato vende nuk ka avionë.”, shtoi Rama, duke renditur të gjithë shifrat e të gjithë forcave dhe të avionëve që kanë qenë në dispozicion.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit