Transmetuar më 14-08-2025, 09:50

Tiranë, 14 Gusht 2025 – Policia e Shtetit ka bërë bilancin e punës së saj lidhur me zjarrvëniet e regjistruara në vend gjatë muajve të verës. Nga qershori deri më sot janë identifikuar 137 persona si autorë të zjarrvënieve, prej të cilëve 46 janë arrestuar, ndërsa 91 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Sipas njoftimit zyrtar, një pjesë e zjarrvënësve janë kapur në flagrancë falë monitorimit nga ajri me dronë, duke u konstatuar teksa ndeznin qëllimisht zjarre në pyje, kullota apo prona private.

Në terren vijojnë të jenë të angazhuara Forcat Kombëtare të Sigurisë, Forcat e Posaçme “Shqiponja”, patrullat e përgjithshme dhe forcat operacionale, të cilat po ndihmojnë edhe në evakuimin e banorëve, si dhe në mbështetje të emergjencave civile e zjarrfikësve për shuarjen e flakëve.

Policia e Shtetit thekson se vijon monitorimi i zonave me rrezikshmëri të lartë nga ajri dhe tokës, me qëllim identifikimin në kohë të personave që ndezin zjarre dhe që shpesh herë rrezikojnë jetën e banorëve dhe efektivëve në terren.

Autoritetet apeluan sërish që banorët të shmangin ndezjen e zjarreve për pastrimin e tokave apo djegien e mbetjeve bujqësore, pasi çdo zjarrvënie, qoftë me qëllim apo nga pakujdesia, përbën vepër penale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit