

Hetim në Itali: Shqiptarit i bllokohen 700 mijë euro dhe pasuri luksoze
Autoritetet italiane kanë vënë në shënjestër një shtetas shqiptar, i dyshuar si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.
Guardia di Finanza në Brescia ka sekuestruar mbi 700 mijë euro para cash, disa prona të paluajtshme, aksione kompanish dhe llogari bankare që dyshohet se i përkasin të njëjtit person.
Operacioni, i quajtur “Tornado” dhe i drejtuar nga Drejtoria Antimafia, ka nisur pas muajsh hetimesh të detajuara. Gjatë fazës së hetimit janë ndjekur transaksionet bankare, janë kontrolluar burimet e pasurisë, janë shfrytëzuar të dhëna nga rrjete ndërkombëtare dhe janë përgjuar qindra telefonata.
Sipas hetuesve, shqiptari jetonte me luks të tepruar, duke përdorur makina të shtrenjta, duke zotëruar prona në emra të personave të tjerë dhe duke kryer shpenzime të mëdha, pa pasur të ardhura të ligjshme që ta justifikonin. Ai dyshohet se ka pasur rol të rëndësishëm në menaxhimin e fitimeve të paligjshme dhe në pastrimin e tyre për llogari të organizatës kriminale. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






