Transmetuar më 13-08-2025, 22:01

Strukturat shtetërore në Shqipëri kanë vijuar edhe gjatë së enjtes përpjekjet intensive për shuarjen e zjarreve në të gjithë territorin, duke punuar pa ndërprerje në terren.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 34 vatra aktive, prej të cilave 13 janë izoluar dhe janë shuar.

Në operacione janë angazhuar dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe trupa të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në të gjitha bashkitë e prekura. Më shumë se 600 efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, punonjës bashkiakë dhe forca vullnetare po marrin pjesë në aksion.

Në ndërhyrje janë përfshirë edhe pesë helikopterë dhe një avion zjarrfikës tip Canadair, i dërguar nga Italia si pjesë e mbështetjes ndërkombëtare. Qindra mjete ndihmëse, përfshirë autoambulanca dhe mjete transporti, janë në gatishmëri për evakuimin dhe mbështetjen e banorëve.

Vatra që vijojnë të jenë aktive dhe kërkojnë ndërhyrje ndodhen në Delvinë, Poliçan, Gramsh, Dropull, Finiq, Berat, Tepelenë dhe Bulqizë. Forcat tokësore dhe mjetet ajrore po punojnë për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe pronën e tyre.

Autoritetet konfirmojnë se gatishmëria është maksimale, ndërsa bashkëpunimi mes strukturave shtetërore dhe partnerëve europianë e atyre nga Emiratet e Bashkuara Arabe po vazhdon për të përballuar situatën. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit