Transmetuar më 13-08-2025, 13:28

Memaliaj, 13 gusht 2025 – Policia ka identifikuar dhe arrestuar autorin e zjarrvënies në fshatin Iliras, zjarr i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme në territorin e fshatit Koshtan, duke djegur 3 banesa të pabanuara, rreth 400 pemë frutore dhe një sipërfaqe të gjerë pyjore.

Mëngjesin e sotëm, pas një operacioni të koordinuar mes shërbimeve të Komisariatit të Policisë Tepelenë, Stacionit të Policisë Memaliaj, DVP Gjirokastër, DVP Fier dhe forcave zjarrfikëse, flakët u neutralizuan plotësisht. Hetimet dhe veprimet operacionale të nisura menjëherë pas njoftimit për zjarrin në zonën e pyllëzuar të vendit të quajtur “Hams” çuan në identifikimin dhe ndalimin e shtetasit B. L., 62 vjeç, banues në Iliras, i dyshuar si autor i zjarrvënies.

Përhapja e zjarrit ka shkaktuar dëmtime serioze në mjedisin natyror dhe pronat private, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme, në kuadër të akuzës për “Shkatërrimin e pronës me zjarr”.

Policia e Gjirokastrës ka përsëritur apelin drejtuar qytetarëve për të shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarrvënie, duke paralajmëruar pasoja penale për shkelësit. Gjithashtu, qytetarët ftohen të raportojnë çdo rast të tillë ose paligjshmëri në numrin 112, duke u garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit