

Edi Rama reagon për debatin mbi blerjen e avionëve zjarrfikës
Kryeministri Edi Rama është ndalur sot tek polemikat e ditëve të fundit mbi mungesën e avionëve zjarrfikës në Shqipëri, duke theksuar se çështja është më komplekse sesa thjesht numri i mjeteve ajrore në dispozicion.
Rama pranoi se “mirë do ishte t’i kishim” avionët, por sipas tij, zjarret e fundit nuk janë problem që do të zgjidhej me një, dy apo edhe tre avionë më shumë. Ai theksoi se aktualisht Shqipëria ka në përdorim më shumë mjete ajrore se çdo vit më parë, falë flotës së vet, ndihmës nga Mekanizmi Europian dhe mbështetjes së Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Po fqinjët tanë – Greqia, Italia, Turqia, Spanja – që po përballen me zjarrfikje edhe më të mëdha se vitet e tjera, a kanë vallë mungesë avionësh?”, pyeti Rama.
Ai solli shembullin e Greqisë, e cila sipas të dhënave të shtypit grek ka një flotë prej 77 avionësh zjarrfikës, rreth 20 helikopterë, afërsisht 3,500 automjete dhe një numër të madh zjarrfikësish të specializuar.
“Kjo tregon,” tha Rama, “se sa më shumë mjete, aq më mirë, por kurimi i pasojave nuk eliminon shkaqet. Ato janë të njëjta për të gjitha shtetet që vuajnë nga zjarret këtë sezon dhe janë shumë më komplekse sesa thjesht numërimi i avionëve.” /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






