

Situata në qarkun Elbasan paraqitet serioze për shkak të vatrave të zjarrit në disa zona, me pasojë shtrirjen e tyre sidomos në Gramsh ku morën jetën e dy personave dhe shkaktuan lëndimin e dhjetë të tjerëve.
Fshatrat Kullollas, Bletëz, Skënderbegas, Menkollare, Zenelas, Harunas në rrethin Gramsh tani janë të zhuritura nga flakët. Veç njerëzve që humbën jetën janë vrarë dhe qindra bagëti, kryesisht të imta.
Situata më e rënduar është në Kullollas – Gramsh. Aktualisht atje banorët janë evakuuar. Për shkak të flakëve janë bllokuar edhe disa rrugë që lidhin fshatrat. Në bashkinë Gramsh janë marrë masa për strehimin e banorëve të evakuuar.
Por shqetësim më vete është fakti se janë djegur tërësisht gjashtë fshatra ku gjendeshin dhjetëra banesa dhe biznese kryesisht bujqësore dhe blegtorale.
Në Mukaj dhe Sojnik – Gramsh ka aktualisht një situatë problematike. Mbi 150 forca po punojnë për izolimin e zjarrit në sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Është kërkuar ndërhyrja me 50 forca operacionale ushtarake. Në terren janë edhe forcat zjarrfikëse të Elbasanit dhe Gramshit afër fshatit Snosëm e Sojnik, të shoqëruara edhe nga punonjës bashkiak e banorë të zonës.
Informacion mbi situatën e zjarreve në vend
Aktualisht në territorin e vendit janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 27 janë aktive dhe 7 po mbahen nën monitorim. Situata më problematike vijon të jetë në jug të vendit, me rrezik të lartë për zonat e mbrojtura, banesat dhe infrastrukturën.
*Qarku Vlorë*
Bashkia Delvinë – Zjarri i nisur në Finiq ka kaluar në territorin e Delvinës, duke rrezikuar edhe qytetin, pas fshatrave Pecë, Kranë, Krongj, Kardhikaq dhe Sirakat. Po vijon evakuimi i banorëve në zonat e rrezikuara. Në terren kanë operuar helikopteri i FA-së, 2 avionë grekë PZL, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak. Bashkia Delvinë po hap breza mbrojtës me skrepa, ndërsa kërkohet mbështetje shtesë nga ajri për shkak të riskut të lartë.
Fshati Sevaster, Nj. A. Sevaster – Në terren ndodhet mjeti zjarrfikës i Selenicës me efektivët e tij. Flakët, të favorizuara nga era dhe terreni, po rrezikojnë disa banesa. Ka nisur evakuimi i banorëve.
Fshati Mesaplik, Nj. A. Brataj – Zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke rrezikuar banesa. Forcat zjarrfikëse të Vlorës po ndërhyjnë me mjete dhe efektivë, ndërkohë që po vijon evakuimi i banorëve. Bashkia Dropull – Zjarri i ardhur nga Finiqi është shtrirë nga lartësitë mbi fshatin Goric deri në fshatin Dhuvjan (ish-reparti ushtarak i Leftokaresë). 20 forca të bashkisë Dropull po e mbajnë nën monitorim. Nuk ka rrezik për banesat.
Parku i “Rëzom” – Maja e “Lucës” – Vatra në sipërfaqe me shkurre e pyll vazhdon aktive. Terreni i thyer nuk lejon ndërhyrje me mjete, por AdZM do të kryejë ndërhyrje në orët e para të mëngjesit. Lagjja “15 Tetori”, Vlora – Vatër aktive në kodrën pas bashkisë. Në terren ndodhet 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë.
Rrethrrotullimi i Orikumit – Vatër aktive, ku po ndërhyhet me 1 mjet zjarrfikës dhe 3 efektivë.
*Qarku Dibër*
Ternovë, Zerqan – Bulqizë – Zjarri ka marrë përmasa të mëdha. Po punojnë forcat e MZSH-së, pyjores, bashkisë dhe kompanive minerare, si dhe 30 trupa FA.
Mali me Gropa, Biz – Martanesh – Vatër në zonë të mbrojtur, larg zonave të banuara. Monitorim nga AdZM dhe njësia vendore.
Fshati Luzni – Zjarri rrezikoi banesat, por forcat operacionale arritën ta vendosin nën kontroll. Xibër Murriz – Klos – Vatër nën monitorim, pa rrezik.
*Qarku Berat*
Fshati Rehovë – Poliçan – Riaktivizim me përmasa të mëdha, që po prek fshatrat Rehovë, Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik e Panarit, si dhe Rezervatin e Mbrojtur “Balloll”. Kërkohet ndërhyrje nga ajri.
Në fshatin Vokopolë u evakuuan banorët. Në vendngjarje janë edhe efektivë të FA dhe forca nga bashkitë përreth. Situata është kritike.
Fshati Mbrakull – Poliçan – Zjarri ka kaluar pranë ujësjellësit dhe qytetit. Po punojnë 35 forca FA, 65 forca MZSH, 15 forca bashkiake dhe mjetet zjarrfikëse të zonës.
Fshati Velçan – Sinjë – Vatër nën monitorim.
Fshati Orizaj – Qendër Skrapar – Zjarr në sipërfaqe me shkurre, po monitorohet.
*Qarku Tiranë*
Spanesh – Rrogozhinë – Zjarri pranë banesave, është kryer evakuim i banorëve.
Ferraj dhe Zall-Herr – Tiranë – Forcat zjarrfikëse dhe APR po punojnë për izolimin.
Damjan dhe Isufaj – Vaqarr – Vatra e madhe po përparon drejt Pezë Helmës. Po ndërhyhet me 20 forca zjarrfikëse dhe mjete.
Mali i Bërzhitës – Ibë – Vatra aktive, pa rrezik të menjëhershëm.
*Qarku Gjirokastër*
Hormovë – Tepelenë – Zjarri rrezikon banesat, është kryer evakuimi i banorëve. Ndërsa të gjitha strukturat janë në terren.
Koshtan – Memaliaj. Zjarri ka përhapje të madhe. Banorët janë evakuuar, por 3 banesa janë përfshirë nga zjarri. Forcat zjarrfikëse me mjetin zjarrfikës si dhe forca vullnetare dhe Policia e Shtetit janë pozicionuar në sheshin e Teqesë dhe po punojnë për të ruajtur banesat e tjera.
Turan – Tepelenë – Janë djegur dy stalla bagëtish. Po punojnë forcat tokësore dhe ajrore.
*Qarku Shkodër*
Xath – Fushë Arrëz – Po ndërhyhet me mbi 170 forca dhe mjete. Falë ndërhyrjes së koordinuar, deri tani është bërë i mundur shpëtimi i banesave që ishin në rrezik në fshatrat Xhath dhe Flet. Aktualisht po punohet me intensitet të lartë për izolimin dhe shuarjen e vatrave në disa drejtime, megjithë terrenin e vështirë.
Baks–Rrjoll – Velipojë – Vatër në kallamishte, po punohet për shuarjen. Qyteti i Pukës – Vatra në kontroll. Ura e Shtrejtë – Postribë – Monitorim i vazhdueshëm.
*Qarku Kukës*
Gegaj – Tropojë – Vatër e izoluar, pa rrezik për banesat. Parku i Monellës – Kukës – Vatër nën monitorim.
*Qarku Korçë*
Gërmenj – Leskovik – Zjarri në Parkun Natyror vijon aktiv, po monitorohet.
*Qarku Fier*
Gjonc-Selisht – Cakran – Vatër e vendosur nën kontroll, monitorim.
Bashkia Lushnje – Vatër e re, po ndërhyhet me forcat zjarrfikëse të Divjakës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






