Transmetuar më 12-08-2025, 16:45

Sipas të dhënave të fundit, në vend janë evidentuar 37 vatra zjarri, nga të cilat 30 vazhdojnë të jenë aktive. Situata më problematike paraqitet në qarkun Elbasan, ku në fshatin Kullollas, Nj.A. Skënderbegas, bashkia Gramsh, flakët kanë marrë përmasa të mëdha dhe po rrezikojnë banesat e fshatit Skënderbegas.

Ka nisur evakuimi i banorëve, por tymi i dendur po e vështirëson largimin. Nga ky zjarr është raportuar edhe një humbje jete.

Në Gramsh, fshatrat Mukaj dhe Sojnik janë ende nën kërcënimin e flakëve, ku mbi 150 forca tokësore dhe dhjetëra trupa të Forcave të Armatosura po punojnë për izolimin e zjarrit.

Qarku Vlorë mbetet një tjetër vatër kritike, ku zjarri në fshatin Krane ka avancuar deri në fshatin Pecë, shumë pranë Parkut Natyror të Syrit të Kaltër. Në terren po operojnë zjarrfikës, forca ushtarake dhe mjete ajrore, përfshirë helikopterë shqiptarë dhe të huaj, si dhe avionë nga Greqia, Çekia dhe Sllovakia.

Qarku Berat përballet me një situatë të jashtëzakonshme në bashkinë Poliçan, ku zjarri rrezikon fshatrat Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit. Autoritetet u kanë kërkuar banorëve të largohen menjëherë nga banesat.

Në Tiranë, disa vatra janë shuar, por vazhdon të digjet zona e Arbanës dhe Pezë Helmës, si dhe fshatrat Ferraj e Zall-Herr. Në Rrogozhinë, zjarri është afruar pranë banesave në fshatin Spanesh, duke detyruar evakuimin e banorëve.

Në qarkun Gjirokastër, vatra të rrezikshme janë regjistruar në Tepelenë, Memaliaj dhe Hormovë, ndërsa në Shkodër, flakët në Fushë Arrëz kanë rrezikuar banesat, por ndërhyrja ka shmangur dëmet në shtëpi.

Forcat ajrore të angazhuara përfshijnë 2 helikopterë Black Hawk nga Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe nga Çekia, Sllovakia dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Autoritetet bëjnë thirrje për bashkëpunim të plotë të banorëve, duke theksuar se çdo vonesë në evakuim rrit rrezikun për jetë dhe pronë. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit