

Zjarri që ra në zonën e Syrit të Kaltër në Sarandë, ku pasditen e djeshme mori përmasa të mëdha, ka vijuar edhe gjatë natës por me intensitet të ulët.
Në fshatin Pecë, vatra e zjarrit është fikur gjatë natës. Prej orëve të para të mëngjesit në Syrin e Kaltër po operojnë 1 avion Canadair dhe 1 helikopter.
Ditën e djeshme u bë evakuimi i vizitorëve nga parku natyror. Qarkullimi Muzinë-Sarandë u mbyll pasi flakët gjigande zbritën deri në rrugë.
Problematike u paraqit situata edhe në segmentin Bistricë-Muzinë.
Situata e rëndë ishte edhe në Finiq, ku prej disa ditësh flakët po kalojnë nga njëri fshat në tjetrin.
Në fshatin Leshnicë e Poshtme të Finiqit u dogjën disa banesa. Edhe në Poliçan të Beratit zjarri mori përmasa të mëdha në mal.
Një vatër zjarri ra edhe në fshatin Xath të Fushë Arrëzit, ku u evakuuan banorët.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






