

CBO: Ligji i taksave dhe shpenzimeve i Donald Trump do të favorizojë kryesisht më të pasurit, ndërsa amerikanët më të varfër do të përfundojnë me më pak të ardhura
Ligji i taksave dhe shpenzimeve i presidentit Donald Trump do të rezultojë në më pak të ardhura për amerikanët më të varfër, ndërsa do të sjellë më shumë përfitime për më të pasurit, tha të hënën Zyra Jo-Partizane e Buxhetit të Kongresit (CBO).
CBO vlerëson se 10% e amerikanëve më të varfër do të humbasin mesatarisht rreth 1,200 dollarë në vit për shkak të kufizimeve në programe si Medicaid dhe ndihma ushqimore, ndërsa 10% e më të pasurve do të shohin të ardhurat e tyre të rriten me rreth 13,600 dollarë sajë uljeve të taksave.
Në përgjithësi, familjet amerikane do të përfitojnë më shumë të ardhura nga uljet e taksave të përfshira në ligj, përfshirë këtu edhe ato me të ardhura mesatare, por përfitimi më i madh do t’i shkojë 10% të më të pasurve.
Raporti i CBO-së publikohet ndërsa ligjvënësit janë me pushime nga Uashingtoni, shumë prej tyre duke paraqitur mesazhet e tyre mbi ligjin tek zgjedhësit. Republikanët miratuan ligjin — të cilin Trump e quajti “projektligji i madh dhe i bukur” — në korrik, duke mos marrë asnjë votë nga demokratët. Këta të fundit paralajmëruan se uljet e taksave dhe prioritetet e shpenzimeve do të dëmtonin programet jetike të ndihmës dhe do të shtonin borxhin kombëtar.
“Ky është vërtet një projektligj i madh dhe i bukur për miliarderët, por për të varfrit dhe klasën punëtore në këtë vend, ju në fakt bëheni më të varfër,” tha për MSNBC të hënën përfaqësuesi demokrat Brendan Boyle, anëtari më i lartë i Komitetit të Buxhetit të Dhomës së Përfaqësuesve.
Ndryshimet në kriteret e përfitimit nga ndihma ushqimore (SNAP) do të prekin miliona amerikanë, thekson CBO. Rreth 2.4 milionë persona do të humbin të drejtën për të marrë ndihmë për shkak të kërkesave të reja për punë për përfituesit. Amerikanët me të ardhura të ulëta gjithashtu mund të shohin ulje të të ardhurave përmes kufizimeve shtesë në ndihmën ushqimore dhe programe të tjera ndihme të përfshira në ligj.
Gjithashtu, më shumë se 10 milionë amerikanë pritet të mbeten pa sigurim shëndetësor deri në vitin 2034 për shkak të ndryshimeve në Medicaid, citon noa.al një raport të AP.
Pas publikimit të raportit, përfaqësuesi republikan Jason Smith, kryetar i Komitetit të Mjeteve dhe Mënyrave në Dhomën e Përfaqësuesve, kritikoi metodologjinë e CBO-së, duke përsëritur vërejtjet që ka bërë më parë.
“CBO ka një histori problematike me parashikime të pasakta dhe, si demokratët, është e prirur në favor të më shumë shpenzimeve federale dhe taksave më të larta,” shkroi Smith në rrjetet sociale. “Mos e besoni.”
Republikanët janë të etur të theksojnë anët pozitive të ligjit, duke argumentuar se uljet e taksave do të nxisin rritjen ekonomike, ndërsa ndodhen në pushimin njëmujor veror nga Uashingtoni. Por, në takimet me qytetarët, shumë prej tyre janë përballur me kritika të ashpra nga votuesit dhe aktivistët.
“Tatoni të pasurit,” ishte slogani që turma në Lincoln, Nebraska, bërtiti javën e kaluar ndërsa përfaqësuesi republikan Michael Flood përpiqej të mbronte ligjin.
Megjithatë, Trump mbetet i vendosur. “Projektligji i madh dhe i bukur i presidentit Trump po vendos Amerikën e Para si kurrë më parë, duke sjellë kursime të mëdha për familjet punëtore, duke forcuar ekonominë dhe duke siguruar kufijtë tanë,” tha javën e kaluar zëvendëssekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Abigail Jackson. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






