

Tiranë, 11 gusht 2025
Tregu i automjeteve në Shqipëri po përballet me një ngadalësim të ndjeshëm gjatë vitit 2025, duke reflektuar shenjat e para të ngopjes. Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor (DPSHTRR) tregojnë se në periudhën janar–maj janë regjistruar për herë të parë 38 mijë mjete, nga të cilat 30.9 mijë ishin autovetura, duke shënuar një rënie prej 8.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Në vitin 2024 u arrit një rekord historik prej 99.4 mijë regjistrimesh të reja, i nxitur kryesisht nga fluksi i lartë i automjeteve të importuara nga Koreja e Jugut. Nga ky shtet erdhën 18.8 mijë mjete, ose 19% e totalit vjetor, duke e pozicionuar si furnizuesin kryesor të tregut shqiptar.
Edhe në fillim të 2025-s, Koreja e Jugut ka vijuar të kryesojë listën e importuesve me 7753 mjete të regjistruara në 5-mujorin e parë (20.4% e totalit). Në vend të dytë renditet Italia me 6116 mjete (16%), e ndjekur nga Gjermania me 6 mijë (15.9%), Zvicra me rreth 3400 (9%), SHBA-ja me gati 3 mijë (7.8%) dhe Kina me 2.8 mijë (7.3%).
Ekspertët vlerësojnë se zhvillimet pozitive në turizëm kanë shtuar kërkesën për mjete transporti, veçanërisht taksi dhe automjete me qira, por një pjesë e madhe e bizneseve dhe individëve i kanë kryer tashmë blerjet e nevojshme. Si pasojë, kërkesa për automjete të reja dhe të përdorura ka rënë, duke ndikuar edhe në të ardhurat e buxhetit të shtetit. Ministria e Financave raporton se importi i automjeteve të përdorura uli të ardhurat doganore me 665 milionë lekë në 5-mujorin e parë të vitit, ndërsa automjetet e reja shkaktuan një ulje prej 333 milionë lekësh, ose 27% më pak.
Megjithëse 2024 shënoi rritje rekord, sfida mbetet mosha e lartë e flotës së automjeteve. Nga 738 mijë autovetura në qarkullim deri në qershor 2024, rreth 73% janë më të vjetra se 15 vjet, 20% kanë moshë 9–15 vjet dhe vetëm 12% janë prodhuar brenda 4 viteve të fundit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






