Transmetuar më 10-08-2025, 22:51

Djali palestinez 15-vjeçar vritet nga paleta e ndihmave ajrore në Gaza – numri i viktimave nga uria arrin në 217

Një djalë palestinez 15-vjeçar, Muhannad Zakaria Eid, është shtypur për vdekje nga një paletë ndihmash humanitare gjatë një hedhjeje ajrore në Gaza, ndërsa kritikat globale ndaj planit të Izraelit për të marrë nën kontroll qytetin më të madh të enklavës së shkatërruar nga lufta po rriten. Në atë qytet po strehohen pothuajse një milion njerëz.

Pamjet nga Gaza, të verifikuara nga Al Jazeera, tregojnë njerëz të mbledhur rreth trupit të Muhannadit pranë të ashtuquajturit Korridori Netzarim në Gaza qendrore, të shtunën.

Disa persona përpiqen ta mbajnë në jetë, ndërsa fytyra e tij duket e përgjakur. Në pamje të tjera shihet vëllai i tij duke e mbajtur në krah, dhe babai duke e përqafuar trupin në spitalin al-Awda në Nuseirat.

Vëllai i viktimës i tha agjencisë Reuters se Muhannadi u vra pasi një paletë me ndihma i ra mbi trup.

“Pavarësisht urisë dhe kushteve të vështira ku jetojmë, im vëlla shkoi të merrte ndihma që u hodhën në det nga avionët. Një kuti i ra direkt mbi trup dhe ai u martirizua,” tha ai. “Ata që bëjnë hedhjet e ndihmave nuk mund t’i fusin përmes pikave kufitare, por i hedhin mbi ne dhe na vrasin fëmijët. Një fëmijë u vra në Zawayda, e po ashtu edhe këtu, e askush nuk na ndjen. Zoti mjafton për ne kundër tyre dhe ndihmave të tyre,” shtoi ai.

OKB ka paralajmëruar vazhdimisht se hedhjet ajrore janë të rrezikshme, joefikase dhe të kushtueshme, duke i bërë thirrje Izraelit të lejojë furnizime të qëndrueshme ndihmash përmes pikave tokësore.

Sipas Zyrës së Medias së Qeverisë në Gaza, që nga tetori 2023, të paktën 23 palestinezë janë vrarë dhe 124 të tjerë janë plagosur nga hedhjet ajrore të ndihmave.

Të dielën, Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se edhe pesë palestinezë të tjerë, përfshirë dy fëmijë, kishin vdekur nga uria në 24 orët e fundit. Kjo e çon numrin total të viktimave nga kequshqyerja në 217 – mes tyre 100 fëmijë – që nga fillimi i luftës. Shumica e këtyre vdekjeve kanë ndodhur javët e fundit, pasi Izraeli vazhdon të kufizojë ashpër hyrjen e ndihmave, edhe pse në fund të majit hoqi pjesërisht bllokadën totale.

Drejtori i spitalit al-Shifa në veri të Gazës, Mohammed Abu Salmiya, tha për Al Jazeera se uria po rrezikon seriozisht jetën e fëmijëve dhe të moshuarve:

“Kequshqyerja tek fëmijët çon në ulje të imunitetit dhe mund të sjellë vdekje,” theksoi ai. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit