

FIFA planifikon të rrisë kufirin e dy skuadrave për çdo vend në Kupën e Botës për Klube – UEFA kundër
FIFA dhe UEFA duket se kanë hapur një front të ri përplasjeje. Çështja lidhet me ndryshimet që FIFA dëshiron të bëjë për Kupën e Botës për Klube 2029. Konkretisht, FIFA synon të rrisë kufirin aktual prej dy skuadrash për çdo vend, një ndryshim që mund të çonte edhe në shtimin e numrit të pjesëmarrësve nga 32 në 48 ekipe – diçka që gjen kundërshtimin e UEFA-s.
Qëllimi i FIFA-s është t’u japë “dritë jeshile” kampionëve të Anglisë, Spanjës, Italisë, Gjermanisë dhe Francës, edhe nëse ata nuk kualifikohen përmes kompeticioneve kontinentale.
Ndryshimi i madh do të prekte deri në 10 ekipe. Së pari, FIFA e ka njohur Chelsean (fituese 4-0 ndaj Paris Saint-Germain në finale) si kampionen e parë në historinë e Kupës së Botës për Klube, pavarësisht se kjo garë zhvillohet që nga viti 2000. Kjo do të thotë se Manchester United, Liverpool, Real Madrid dhe Milan nuk figurojnë më në listën e fituesve të trofeut. Ndryshe nga e kaluara, Chelsea nuk mori automatikisht një vend për edicionin e vitit 2029 si mbajtëse e titullit.
Aktualisht, katër skuadra e kanë siguruar pjesëmarrjen në edicionin e ardhshëm: Paris Saint-Germain, Cruz Azul, Al Ahly dhe Pyramids FC, pasi fituan këtë vit kupat përkatëse kontinentale.
Sipas të përditshmes The Times që citon noa.al, ndryshimi i planifikuar nga FIFA mund të lejonte që ekipe si Chelsea (mbajtëse e titullit), Liverpool, Barcelona dhe Napoli të merrnin pjesë edhe nëse nuk janë kualifikuar përmes turneve kontinentale.
Sipas burimeve, drejtues të FIFA-s janë shprehur të “zhgënjyer” që ekipe si Liverpool, Barcelona dhe Napoli – të gjitha kampione në ligat e tyre – nuk ishin pjesë e Kupës së Botës për Klube që u zhvillua së fundmi në Shtetet e Bashkuara. Kjo solli idenë që kampionët e Anglisë, Spanjës, Italisë, Francës dhe Gjermanisë të ftohen automatikisht, nëse nuk janë tashmë të kualifikuar.
Një ndryshim i tillë rregullash pritet të çonte në rritjen e numrit të pjesëmarrësve nga 32 në 48 ekipe, gjë që sipas raportimeve do të hasë në kundërshtimin e UEFA-s. Përveç gjashtë skuadrave të përmendura, ky rregull do të prekte edhe katër ekipet e kualifikuara tashmë, për shkak të ndryshimit të formatit në të cilin do të luhet në vitin 2029.
Megjithëse turneu është shoqëruar me kritika për mbingarkesë të kalendarit të lojtarëve, FIFA mbetet e vendosur ta mbështesë Kupën e Botës për Klube. Presidenti Gianni Infantino ka refuzuar kundërshtitë, duke e cilësuar atë si “garën më të suksesshme ndërklubore në botë”.
“Epoka e artë e futbollit botëror të klubeve ka nisur. Mund të themi me siguri që kjo Kupë e Botës për Klube e FIFA-s ka qenë një sukses i madh, i madh, i madh. Sigurisht, ka shumë gjëra pozitive, disa negative. Ishte një sukses. Kishim mbi 2,5 milionë tifozë në stadiume. Gjeneruam mbi 2 miliardë dollarë të ardhura nga kjo garë. Nuk ka asnjë tjetër garë në botë që t’i afrohet 33 milionë dollarëve për ndeshje”, – deklaroi Infantino. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






