Transmetuar më 09-08-2025, 13:58

Kosova, 9 gusht 2025 – Fermerët kosovarë po eksportojnë sasi të mëdha perimesh në tregjet evropiane, ndërsa tregu vendor mbushet gjithnjë e më shumë me produkte të importuara. Fermeri 32-vjeçar nga Mamusha, Erbril Mazreku, ka prodhuar rreth 300 tonë domate këtë sezon, të gjitha të destinuara për eksport, me çmim 60 cent për kilogram – më i leverdishëm se tregu vendas.

Në pikën grumbulluese “Eurotaç” në Mamushë, përveç domateve po eksportohen edhe tranguj, lakra, qepë, patate dhe së shpejti speca, me kërkesë të lartë në Ballkan dhe Evropë. Vetëm në 20 ditët e korrikut janë eksportuar kultura bujqësore në vlerë mbi 1 milion euro, ndërsa deri në fund të sezonit shifra pritet të arrijë në 3 milionë euro.

Megjithë rritjen e eksporteve, çmimet për konsumatorët kosovarë mbeten të larta: specat shiten deri në 1.50 euro/kg, domatet 1.20 euro, trangujt mbi 1 euro dhe patatet pak më lirë. Ekspertët theksojnë se prioriteti i fermerëve është eksporti, për shkak të çmimit më të mirë, pagesës së sigurt dhe kohës së shpejtë të dorëzimit.

Sipas Shoqatës “PePeKo”, mungesa e furnizimit vendor gjatë stinës së dimrit dhe rritja e kapaciteteve përpunuese kanë ndikuar që Kosova të vazhdojë të importojë sasi të mëdha nga vende si Turqia, Holanda dhe Shqipëria. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, importi i këtyre produkteve ka kapur vlerën e mbi 1.5 milion eurove.

Specialistët propozojnë masa mbrojtëse, subvencione për zgjerimin e serrave dhe vendosjen e kuotave për import gjatë sezonit të prodhimit vendor, si dhe mbështetje financiare për rritjen e rendimentit dhe cilësisë. Ministria e Bujqësisë thotë se vitin e kaluar ka subvencionuar mbi 5.000 hektarë të mbjella me perime, duke mbështetur më shumë prodhuesit që punojnë në serra.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit