Transmetuar më 08-08-2025, 15:29

Ngjarja e rëndë ku 22 kuaj u qëlluan me armë gjahu në zonën e Llogarasë, afër “Gropave të Pirit”, ka shkaktuar reagime të shumta nga qytetarë dhe organizata për mbrojtjen e kafshëve.

Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe kryetari i Shoqatë së Gjuetarëve “Tirona” dhe anëtar i kryesisë së Federatës Kombëtare të Gjuetisë, Armand Burri.

Ky i fundit duke dënuar aktin e rëndë thotë se shoqata e gjuetarëve ka kritere të qarta për gjuetinë, ndërsa thekson se kush është pjesë e shoqatës, është i informuar për ligjet dhe mënyrën e saktë të ushtrimit të gjuetisë.

Burri thekson se pas këtij rasti të rëndë, Policia e Shtetit dhe organet kompetente të veprojnë me vendosmëri, që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

“Së pari, dua të theksoj se rasti i ndodhur së fundmi në Llogara, ku janë qëlluar 20 kuaj, është një akt i rëndë dhe i patolerueshëm. Shoqata jonë është e indinjuar dhe e distancohet totalisht nga ky akt i paligjshëm dhe çnjerëzor.

Për të qenë pjesë e gjuetisë në mënyrë të ligjshme dhe të kontrolluar, çdo individ duhet të jetë i anëtarësuar në një shoqatë gjuetie dhe të ketë kaluar testin e gjuetarit. Çdo bashki ka shoqata lokale që janë pjesë e Federatës Kombëtare të Gjuetisë, dhe këto shoqata zbatojnë rregulla të qarta dhe kritere të përcaktuara se ku dhe çfarë mund të gjuhet, dhe vetëm gjatë periudhës së lejuar nga 15 gushti deri më 1 mars.

Ne vijmë pas 12 viteve moratoriumi, dhe aktualisht jemi duke u angazhuar në mënyrë intensive me testimin dhe informimin e gjuetarëve, si dhe anëtarësimin e tyre të rregullt. Kush është pjesë e shoqatës, është i informuar për ligjet dhe mënyrën e saktë të ushtrimit të gjuetisë.

Shoqata jonë ka denoncuar në mënyrë të përsëritur raste të gjuetisë së paligjshme, siç janë:

– gjuetia e natës me prozhektorë,

– përdorimi i dylbive termike, të cilat janë të ndaluara me ligj,

– dhe veprime të tjera jashtë çdo kriteri ligjor.

Gjuetar i ligjshëm është vetëm ai që ka kaluar testin, ka kartë anëtarësie dhe respekton rregullat e vendosura.

Marrja e një arme gjahu nuk të jep automatikisht të drejtën për të dalë në gjueti. Pa anëtarësim dhe pa certifikimin si gjuetar, arma mund të mbahet vetëm në banesë, siç ndodh edhe me armët për vetëmbrojtje.

Shpresoj që pas këtij rasti të rëndë, Policia e Shtetit dhe organet kompetente të veprojnë me vendosmëri, që ngjarje të tilla të mos përsëriten më”, deklaroi Armand Burri.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit