

FRANCË- Një zjarr i madh po vijon të djegë rajonin Aude në jug të Francës. Flakët janë përhapur në një sipërfaqe më të madhe se qyteti i Parisit, duke rrezikuar një pjesë të konsiderueshme të territorit dhe duke krijuar situatë alarmante për banorët dhe autoritetet lokale. Zjarri ka përfshirë pyje të dendura dhe ka shkatërruar të paktën 25 shtëpi në fshatrat përreth.
Gjithashtu mijëra banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa turistët që ndodheshin në zonë janë evakuuar për tu siguruar nga rreziku i zjarrit. Për shkak të përhapjes së flakëve dhe tymit të dendur, autoritetet kanë mbyllur shumë rrugë dhe kanë ndaluar qarkullimin në disa zona për të lehtësuar punën e zjarrfikësve dhe për të parandaluar aksidentet.
“Është një katastrofë me përmasa të papara më parë,” tha kryeministri francez, François Bayrou gjatë vizitës në zonën e prekur, duke shprehur solidaritetin me të gjithë të prekurit dhe duke siguruar se qeveria po mobilizohet në maksimum për të ndihmuar në menaxhimin e situatës dhe në ringritjen e zonave të dëmtuara.
Ndërkohë forcat zjarrfikëse dhe emergjencat civile po vazhdojnë luftën me flakët, duke u përballur me vështirësi të mëdha për shkak të erës dhe temperaturave të larta që favorizojnë përhapjen e zjarrit.
Sipas mediave të huaja më shumë se 2,100 zjarrfikës kanë luftuar me zjarrin gjatë ditëve të fundit, me autoritetet franceze që kanë udhëzuar avionët me ujë për të shuar flakët. Përhapja e shpejtë e zjarrit u favorizua nga moti i nxehtë dhe i thatë, megjithëse temperaturat më të ftohta dhe erërat më të qeta gjatë natës ndihmuan në lehtësimin e situatës.
Nga zjarri një person humbi jetën dhe të paktën 13 të tjerë janë plagosur, përfshirë 11 zjarrfikës, ndërsa tre persona janë raportuar të zhdukur. Autoritetet lokale gjithashtu e kanë cilësuar si zjarri më i madh në dekada. Gjithashtu një hetim është duke vazhduar për të përcaktuar shkakun e zjarrit.



Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






