

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka lëshuar disa komente të çuditshme lidhur me situatën e krijuar në Gaza, duke ndërthurur të pasurit dhe një bombardim masiv botëror.
Gjatë një fjale, të cilën sipas televizionit shtetëror kolumbian, Petro e ka mbajtur më 16 korrik, por që nuk ka marrë shumë zë asokohe, ai është dëgjuar të thotë se Gaza është një eksperiment i të pasurve dhe në realitet, ata (nuk kuptohet se kujt i referohet konkretisht, red.) duan të bombardojnë gjithë botën.
“Ne në hemisferën jugore pa diskutim”, tha Petro me bindje. “Por do të përfundojnë edhe mes vetes si në veprën Guernica, duke bombarduar njëri-tjetrin”.
“Gaza është thjesht një eksperiment nga super të pasurit, që përpiqen t’u tregojnë të gjithë popujve të botës se si t’i përgjigjen një rebelimi të njerëzimit. Ata planifikojnë të na bombardojnë të gjithëve”, ka përmendur saktësisht Petro.
Një president kontrovers, Petro gjithnjë ka mbajtur ligjërime në lidhje me elitat botërore dhe e ka shfaqur veten si një mbrojtës i shtresave të varfra karshi të fortëve.
Ai madje bëri bujë në Shqipëri në maj, kur shpërtheu me disa komente ndaj grupeve kriminale shqiptare në Amerikën Latine.
Ai pretendoi se një grup veçanërisht, ai i Dritan Gjikës, po përpiqej ta vriste atë përmes një atentati dhe të njëjtën gjë e ka thënë edhe për homologun e tij ekuadorian.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






